Pak pas mesnate, një grup anijesh të shpejta rrethuan anijen “Madleen”. Një orë më vonë, një tufë dronësh hodhi mbi kuvertë një substancë djegëse që të digjte sytë dhe të merrte frymën.
Nga radioja vinin zëra shurdhues, të alternuar me mesazhe kërcënuese që urdhëronin ndryshimin e kursit, ndërsa telefonat filluan të çalojnë derisa linja ra plotësisht. Dhe atëherë nisi bordimi nga forcat izraelite (IDF). “Komunikimi me Madleen është ndërprerë.
Ushtria izraelite ka sekuestruar anijen”, deklaroi organizata në Telegram, duke theksuar se ekuipazhi është “rrëmbyer nga forcat izraelite”.
Anija humanitare e Freedom Flotilla-s, që mbante ndihma për Gazën dhe “shoqërohej” nga 12 vullnetarë, përfshirë Greta Thunberg dhe eurodeputeten franko-palestineze Rima Hassan, është sulmuar dhe bllokuar nga ushtria izraelite.
“Na hodhën kimikate. Shikoni! Ky është një tjetër krim lufte. Bllokimi i një anijeje humanitare është krim lufte”, thotë në një lidhje të drejtpërdrejtë në Telegram deputetja Hassan, pak çaste para se komunikimi të ndërpritej. Në bord kishte shqetësim. Pamjet e fundit të dërguara nga kuverta e anijes e tregojnë qartë këtë. Të gjithë kërkonin një vend të sigurt, por “Madleen” është një anije e vogël, ndërtuar si mjet lundrimi për argëtim, pa vende të përshtatshme për strehim. “Greta, largohu prej aty!”, dëgjohet dikush në njërin nga videot e fundit. “Nuk janë paqësorë, nuk janë paqësorë!”, bërtet Hassan.
Operacioni filloi rreth orës 00:15, kur “Madleen” ndodhej ende në ujëra ndërkombëtare. Aktivistët dërguan një mesazh të shkurtër në të gjitha kanalet sociale. “Alarmi ka rënë. Veshim jelekët e shpëtimit. Po përgatitemi për ndërprerje”. Në fakt, sipas Thiago Avila, një nga vullnetarët, ai ishte një alarm i rremë. Ose më saktë, preludi i sulmit të afërt.
“Papritur na rrethuan të paktën pesë anije me dritat ndezur, të gjitha mbërritën njëkohësisht – tregoi ai nga kuverta, pak para se të vinin dronët – Me shumë gjasë ishin anije të shpejta izraelite. Na rrotulloheshin rreth e qark për pak kohë, pastaj u larguan”. Ishte një mënyrë për të testuar reagimin, për të matur reagimin? “Nuk e dimë nëse do të vijnë me qëllim të na vrasin, apo vetëm për të na bllokuar. Nuk dimë nëse do të na arrestojnë, na marrin peng, na devijojnë në Ashdod, apo kanë ndonjë plan tjetër”, shpjegonte Avila. Përgjigja erdhi pak më pas, kur dronët filluan të sulmonin me shkumë djegëse dhe nisi sulmi i mirëfilltë.
Pamjet e regjistruara nga bordi janë të turbullta. Zëra të alarmuar. Në profilin X të Ministrisë së Jashtme izraelite është publikuar një video që tregon një ushtar duke komunikuar me anijen. “Duke përdorur një sistem komunikimi civil ndërkombëtar, marina izraelite i ka urdhëruar ‘jahtit të selfieve’ të ndryshojë kurs për shkak të afrimit me një zonë të ndaluar”. Por në të vërtetë, “Madleen” ndodhej ende në ujëra ndërkombëtare kur filloi sulmi.
Në bord e dinin që mund të ndodhte. Madje ishin të sigurt. Pas lajmeve që dolën në shtypin izraelit, konfirmimi zyrtar për qëllimet e qeverisë së Netanyahu erdhi të dielën nga ministri i Mbrojtjes, Israel Katz: “Kthehuni pas, mos shkoni drejt Gazës”, tha ai, duke iu drejtuar Gretës, të cilën e quajti “antisemite”, dhe “miqve të saj” në “Madleen”, të cilën e përshkroi si një “jaht selfiesh”. “Kam dhënë tashmë urdhra për IDF-në që të parandalojë anijen nga thyerja e bllokadës detare”.
Në fakt, shenjat e një ndërhyrjeje të afërt ishin dhënë më parë. Dje, disa herë sistemet e komunikimit të anijes dolën jashtë funksioni, ashtu si dhe pajisjet e gjurmimit. “Kur të na ndalojnë, nuk do të mund të tregojmë çfarë po ndodh sepse do të na rrëzojnë sistemet e komunikimit”, paralajmëroi një ditë më parë eurodeputetja Rima Hassan në një video, e cila së bashku me pesë vullnetarët e tjerë francezë i bëri apel presidentit Macron.
“Veprimi ynë është ligjor, politik dhe thellësisht paqësor. Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka kërkuar që të na garantohet një kalim i sigurt, duke theksuar se populli i Gazës ka të drejtë të marrë këto ndihma dhe se këto janë ujëra territoriale palestineze, prandaj Izraeli nuk mund të përdorë praninë tonë për të na arrestuar apo për të bllokuar anijen”, thanë ata. Presidentit francez i kërkuan “të veprojë tani, sepse e gjithë bota po sheh. Të përdorë të gjithë presionin diplomatik të nevojshëm për të na garantuar hyrjen e sigurt në Gaza”.
Një thirrje e ngjashme iu drejtua kryeministrit britanik Keir Starmer. Anija “Madleen” lundron nën flamurin britanik, “që do të thotë se qeveria britanike ka detyrim ligjor të mbrojë anijen dhe qytetarët që ndodhen në të”. Por, sipas aktivistëve në bord, janë të gjitha shtetet e botës që kanë detyrimin të ndërhyjnë. “Detyrojeni Izraelin të ndalet. Nuk ka asnjë të drejtë të pengojë misionin tonë ose të forcojë bllokadën e paligjshme detare që mban në fuqi”. Thirrje që ranë në vesh të shurdhër.
Sipas një mesazhi të shkurtër të publikuar në profilin X të Ministrisë së Jashtme të Izraelit, anija po “lundron në mënyrë të sigurt drejt brigjeve izraelite” dhe pasagjerët “do të kthehen në vendet e tyre”.
Në kanalet sociale të grupit ka vetëm një apel nga ekipi ligjor: “Vullnetarët e ‘Madleen’ janë rrëmbyer nga forcat izraelite të sigurisë. Ata janë qytetarë të huaj nga vende të ndryshme. T’i bëjmë presion ministrive të jashtme që të garantohet siguria e tyre”./La Repubblica