Erion Murataj PSD

Irani ka paralajmëruar shtetet rajonale se forcat ushtarake mund të përballen me hakmarrje nëse përfshihen në një sulm të mundshëm amerikan, raporton Reuters.

Mësohet se lderi suprem Ali Khamenei ka vendosur forcat e armatosura të Iranit në gatishmëri të lartë. Edhe pse presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar negociata të drejtpërdrejta, zyrtari tha se Irani është i hapur ndaj një rruge diplomatike përmes ndërmjetësve.

“Bisedimet indirekte ofrojnë një shans për të vlerësuar seriozitetin e Uashingtonit për një zgjidhje politike me Iranin,” tha zyrtari. Bisedimet përmes Omanit mund të fillojnë së shpejti nëse sinjalet nga SHBA përputhen, megjithëse zyrtari paralajmëroi se rruga mund të jetë e vështirë.

Irani ka lëshuar paralajmërime formale për Irakun, Kuvajtin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin, Bahreinin dhe Turqinë se lejimi i SHBA-së për të përdorur hapësirën ajrore ose territorin e tyre gjatë çdo sulmi do të trajtohej si një akt armiqësor.

Çdo veprim i tillë “do të ketë pasoja të rënda për ta”, tha zyrtari.

Të mërkurën, media shtetërore iraniane raportoi se Kuvajti e kishte siguruar Iranin se nuk do të lejonte agresion nga toka e tij. Qeveritë e tjera të cilave iu afruan Reuters ose refuzuan të komentojnë ose nuk u përgjigjën. Ministria e Jashtme e Turqisë tha se nuk ishte në dijeni të ndonjë paralajmërimi, por sugjeroi se mesazhe të tilla mund të shpërndaheshin përmes kanaleve alternative.

Ndërkohë, komandanti i lartë ushtarak i Iranit, Mohammad Bagheri, zbuloi detajet e përgjigjes së Udhëheqësit Suprem ndaj një letre të dërguar nga Trump më 7 mars.

“Negocimi direkt nuk është i pranueshëm, por negociatat indirekte nuk janë problem”, tha Khamenei në mesazh, sipas Bagherit, shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit.

“Ju keni qenë pala më jo besnike dhe më e pabesueshme në negociatat e kaluara, dhe kështu nuk ka besim tek ju. Megjithatë, ne nuk po e mbyllim derën. Nëse veproni me sinqeritet, negociatat mund të ndodhin.”

Sipas Bagherit, Khamenei i tha gjithashtu Trumpit se Irani nuk po ndjek një armë bërthamore.

“Ne do të përgjigjemi me të gjitha forcat ndaj çdo kërcënimi, por ne nuk jemi luftarak dhe nuk do të fillojmë një luftë”.

Trump ka paralajmëruar se Irani do të bombardohej nëse nuk binte dakord për një marrëveshje të re bërthamore, duke bërë që Khamenei të thoshte të hënën se Republika Islamike do të jepte një “goditje të fortë” si hakmarrje për çdo sulm.

Irani ka kërcënuar gjithashtu se do të synojë interesat amerikane në rajon, duke përfshirë bazën e tij strategjike detare Diego Garcia në Oqeanin Indian nëse sulmohet nga SHBA.