Përfaqësues i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, i cili në zgjedhjet e 14 majit garon në koalicionin ‘Aleanca progresiste’, komentoi në një intervistë për ABC Neës, zhvillimet politike ndërsa partitë përgatiten për zgjedhjet vendore.
“Situata në kampin e opozitës nuk është aq optimiste, kryesisiht si pasojë e zhvillimeve dramatike që kanë ndodhur në PD kohët e fundit, është një faturë që PD e paguan më në mënyrë të drejtpërdrejtë. Shanset dhe pritshmëritë për të arritur fitoren në maxhoritar janë minimizuar. Jemi të detyruar të ecim përpara, pa e kthyer kokën pas dhe për të parë a mbaroi a s’mbaroi lufta dhe a u krye armëpushimi brenda PD ku secili nga faktorët opozitarë duhet të bëjë maksimumin e tij.” -u shpreh Patozi, ndërsa argumentoi pse ‘Aleanca Progresiste’, vendosi të mos nxjerrë kandidat për kryetar Bashkie, por të garojnë vetëm me këshilla bashkiakë.
“Nuk ndodhi se nuk e pamë të udhës që në kushtet e një pranie të zbehtë të pjesës tjetër, prania jonë nuk do kishte vlerë të vecantë ndaj vendosëm që objektiv të kishim këshillat bashkiak. Duke i lënë fushë të lirë opozitës kryesore që sot përfaqësohet nga Foltorja dhe partia e Ilir Metës, duke mos dashur të thyejmë votën opozitare edhe më shumë, sidomos në qytetet kryesore”- u shpreh ai.
Në vijim Patozi u shpreh edhe një herë skeptik për koalicionin Berisha – Meta.
“Ne nuk kemi ndryshuar qëndrim, ne përballë kemi mazhorancën e Ramës, jemi anash Berishës e Metës, nuk mendojmë se alternativë e tyre është zgjidhja për krizën politike në Shqipëri. Ne kemi vizion krejt tjetër me Foltoren dhe partinë e Metës, ndaj nuk garojmë bashkë me ta, por nuk jemi të vetmit. Në këtë kuptim nuk kemi ndryshuar asgjë në qasjen ton, vijojmë të mbetemi opozitar. E kemi thënë që në fillim që jemi në të gjitha rastet me kandidatin opozitar. Kërcënimi më i madh është arroganca apo përqëndrimi i pushtetit të maxhorancës që kemi përballë.” u shpreh ndër të tjera Patozi.Nëse ka një kandidat opozitar mbështetja shkon për atë, nëse ka dy do e lëmë rast pas rasti. Në këto zgjedhje për shkak të krizës në PD rezultati nuk do vendoset nga coptimi i votiva, por maxhoranca do futet me një avantazh në tavolinë./abcnews.al