Komisioni Hetimor për zgjedhjet e 25 Prillit, i kërkuar nga PD dhe drejtuar nga Enkelejd Alibeaj njoftoi në mbledhjen e sotme se do të depozitojë kallëzim penal kundër dy bashkive, të Tiranës dhe të Vlorës, pasi sipas tij nuk kanë kthyer përgjigje për informacionin që iu kërkua për çështjen. N/ kryetari i komisionit, deputeti socialist Toni Gogu u shpreh se një pjesë e informacionit të kërkuar ka ardhur dhe përgjigje vijojnë që të vijnë. “Mos u panikoni, shteti është ngritur në këmbë” tha ai.
Diskutimet në komisionin hetimor për zgjedhjet e 25 Prillit
Enkelejd Alibeaj: Bashkia Tiranë dhe Bashkia Vlorë nuk i janë përgjigjur detyrimit ligjor për të sjellë në komisionin hetimor për zgjedhjet dokumentet e kërkuara. Të dyja bashkive u është kërkuar të sjellin informacion për punësimet nga 1 Janar 2020-31 Prill 2021. Për Bashkinë Tiranë Ka edhe një kërkesë tjetër për të sjellë informacion për shpërblimin për tërmetin. Këto 2 bashki nuk kanë kthyer përgjigje. Megjithë njoftimet e ribëra 3 herë, nuk kanë sjellë pranë komisionit asnjë justifikim ligjor lidhur me mundësinë apo pamundësinë e tyre.
Toni Gogu: Mendoj që duhet të presim informacionin, se edhe shërbimet postare funksionojnë të ndryshe. Por jam i sigurt se informacioni është duke mbërritur.
Ervin Salianji: Bindja e deputetit të PS nuk duhet të na bëjë ne që të tolerojmë në lidhje me ligjin. Bashkia e Tiranës ka resurse shumë të mëdha, kështu që nuk ka qenë pengesë kjo për moskthimin e përgjigjeve. Duhet vazhduar të bëjmë kallëzim per shpërdorim detyre. Po tentojnë të trajtojnë shtetin si pronë personale.
Oerd Bylykbashi: Shpërfillja e treguar na detyron që të vendosim përpara forcës shtrënguese të ligjit bashkitë që nuk e kanë respektuar atë. Në këtë fazë askush nuk mund të mendojë se mund të nëpërkëmbë parlamentin, që ka investuar pushtetin e tij tek ky komision. Duhet të tregojmë forcën e ligjit dhe të operojmë pa vonesë.
Toni Gogu: Pretendimet e kolegëve hidhen poshtë nga moria e informacionit që ka mbërritur. Mos u panikoni, shteti është ngritur në këmbë sepse do të hetojë zgjedhjet.
Enkelejd Alibeaj: Jam dakord që duhet të kalojmë në pikat e tjera të rendit të ditës. Ne nuk mund të lëmë pas dore pikat e tjera të rendit të ditës. Ju kujtoj që miratimi i planit që kemi sot në rendin e ditës do të ishte i plotë vetëm në rastin kur veprimtarinë hetimore ta kemi të plotë, në bazë të ligjit. Nëse ka ardhur përgjigja nga 59 bashki, ministritë dhe 12 inspektorate dhe një sërë institucionesh të tjera, këtu ka diçka që nuk shkon për institucionet e tjera kanë kaluar tre javë. Ne duhet të reagojmë. Jo si komision.
Por sa herë që vërehet një diferencë në rastin më të mirë të mos kthimit të përgjigjes, jo njëherë, por e treta herë. Njoftimi ka mbërritur në këto bashki dhe besoj se nuk ka asnjë lloj justifikimi ligjor për të pritur. Është detyrim ligjor për secilin anëtar për të reaguar. Në dy seancat e kaluara kam bërë paralajmërimin, jo kërcënim, thjeshtë sjellja në dijeni e sanksioneve që ka komisioni në dorë për të reaguar kur institucionet e tjera nuk përgjigjen. Në përfundim të kësaj mbledhje, për bashkinë Tiranë dhe Vlorë do të depozitohet kallëzimi penal për shpërdorim detyre.
9 akuzat e PD-së sipas Enkelejd Alibeajt
Përdorimi i të dhënave personale, patronazhistët
Pagesa 125 milion euro gjatë fushatës për rimbursimin për tërmetin
Tenderat dhe koncesionet në kundërshtimin me Kodin Zgjedhor
120 mln euro për bashkitë për asfaltime për zgjedhjet
Rritja e pagës për administratën
Punësimi i përkohshëm në periudhë zgjedhore
Disburimi i parakohshëm i fondit të ndihmës ekonomike dhe shtesë e paligjshme e familjeve
Legalizimet në shkëmbim të votës
Mbyllja e kufijve me Greqinë dhe Maqedoninë
Komisioni hetimor për zgjedhjet e 25 prillit 2021
Rendi i ditës;
Miratimi i procesverbalit të mbledhjes së komisionit, datë 17.11.2021;
Shqyrtimi paraprak i dokumentacionit dhe vlerësimi i nevojës për dokumentacion shtesë;
Miratimi i planit të hetimit;
Deklarimi i fillimit të hetimit;
Caktimi i mbledhjes së ardhshme të Komisionit.
Enkelejd Alibeaj u shpreh se në datë 12 janar 2022 do të bëhet prezantimi i raportit final për Komisionin Hetimor.
db/ Abcnews.al