Dhimitër Shehu, 39-vjeçari i arrestuar nga Njësia Antidrogë e Tiranës pasi tentoi të trafikonte një valixhe me kanabis sativa me përmbajtje të lartë THC nga Tajlanda drejt Shqipërisë, me tranzit në Dubai, ka rrëfyer përpara hetuesve skemën kriminale.

Shehu ka pranuar para agjentëve skemën e udhëtimit, por ka refuzuar të zbulojë emrat e personave që e angazhuan për transportin e lëndës narkotike.

Ai deklaroi se ishte pajtuar për një pagesë prej 2 milionë lekësh të vjetra (200 mijë lekë të reja) për të sjellë valixhen në Tiranë.

Referuar dëshmisë së tij, droga i ishte dorëzuar në një hotel në Tajlandë nga një shtetas i huaj.

Më pas ai udhëtoi drejt Dubait, ku kaloi pa probleme nga autoritetet vendase. Shehu mbërriti në aeroportin e Rinasit, ku u ndalua menjëherë nga policia.

Fillimisht, ndaj 39-vjeçarit u ngrit akuza për trafikim narkotikësh në tentativë, por pas konfirmimit të mbërritjes së valixhes me drogë në vend, akuza u rikualifikua në trafik të lëndëve narkotike.

Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në rrjetin e trafikut ndërkombëtar të drogës.