Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka shpallur thirrjen e pranimit të aplikimeve nga persona të cilët dëshirojnë të aplikojnë si operatorë teknikë në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit të cilat do mbahen në 6 bashki të vendit. Gjithashtu në njoftimin e dhënë, bëhet me dije se mënyra e votimit do të jetë me anë të identifikimit elektronik dhe se do të përdoren të njëjtat pajisje të cilat janë përdorur në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit.
“Me vendimin nr. 10, date 29.01.2022 “Për përdorimin e pajisjes së identifikimit elektronik të votuesve në zgjedhjet e pjesshme vendore për kryetar bashkie të datës 6 Mars 2022”, Komisioni Rregullator vendosi që në zgjedhjet e pjesshme vendore të datës 6 Mars 2022 identifikimi i votuesve të realizohet nëpërmjet pajisjeve të identifikimit elektronik (PEI) të cilat u përdorën në zgjedhjet e përgjithshme për Kuvend të datës 25 Prill 2021”– thuhet në vendim sa i përket identifikimit elektronik.
Kushtet për t’u caktuar operator teknik në zgjedhjet e 6 marsit:
1. Pranimi i operatorëve teknikë bëhet në bazë të parimit të konkurrimit të hapur.
2. Kandidati për operator teknik duhet të plotësoj kushtet si më poshtë:
a) gëzon të drejtën për të qenë zgjedhës;
b) nuk është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen me dashje të një vepre penale;
c) ka të paktën arsim të mesëm;
ç) nuk ka qenë anëtar i komisioneve zgjedhore dhe grupeve të numërimit në dy zgjedhjet e fundit;
d) nuk është anëtar i strukturave drejtuese të ndonjë partie politike, të paktën tre vitet e fundit;
dh) nuk ka qenë i përfshirë publikisht në veprimtari dhe aktivitete politike dhe elektorale për llogari të një subjekti zgjedhor në 5 vitet e fundit.
e) të ketë njohuri dhe aftësi minimale të përdorimit të pajisjeve të teknologjisë së informacionit si kompjuter, smartphone, etj.;
ë) të jetë i gatshëm për të ofruar shërbimin edhe larg vendbanimit.
3. Operatori teknik duhet të jetë me vendbanim në territorin e qarkut ku ndodhet qendra e votimit ku ai do të caktohet nga KQZ.