“Tani do shtrihesh, do të pish këto ilaçe. Do shtrihesh në shtrat, do pish këto dy kokrra dhe nuk do zgjohesh më”.Kjo është historia e tmerrshme e një gruaje që u dashurua dhe u lidh me një burrë dhe bashkëjetoi me të, dhe që kur vendosi që ta braktiste ai e përndoqi për një kohë të gjatë derisa ai vendosi që më mirë do ishte që ta vriste që ajo t’i përkiste përgjithmonë.
Historia zbulohet nga një zyrtar policie që tregon se si P. Gj, i moshës 40 vjeç u zbulua nga denoncimi i gruas, nënë e një djali, fryt i lidhjes shtatëvjeçare. Burimet sqarojnë se burri përfundoi nën akuzë nga hetimi i policisë që u bind se 40-vjeçari me veprimet e tij po rrezikonte seriozisht jetën e ish-bashkëjetueses, të cilës i ka dhënë ilaçe për ta vrarë.
“Ndihem e trembur, e kërcënuar madje dhe e dhunuar fizikisht. U njoha me P. në vitin 2012 dhe për disa vite bashkëjetuam. Nga kjo lidhje lindi djali ynë”, tregon në denoncim gruaja. Por gjatë viteve të fundit lidhja e çiftit u kris për shkak të xhelozisë dhe kërkesës së llogarisë që 40-vjeçari kishte herë pas here.
“Në ato momente nuk tregova dhe u përpoqa që ta zgjidhja me marrëveshje dhe mirëkuptim grindjen. Për hir të djalit u përpoqa që të mbanim komunikim. Por realisht që prej ditës kur u ndava dhe deri në këto çaste kam kaluar një torturë të vërtetë dhe të pashpjegueshme”, thotë gruaja.
Më e pakta që i ndodhi gruas ishte ndjekja hap pas hapi. “Në lokal, në punë, në lagje, ai ishte mbas meje, por sërish nuk shkova në polici meqenëse mendoja që familjarët tanë që hynë në mes do ta zgjidhnin krizën dhe do ta bindnin që lidhja u mbyll”. Burimet e grupit të hetimit të gazetës Si që u përfshinë në hetime tregojnë se në përfundim pas qindra telefonatave dhe tentativave të ish-partnerit që i trokiste në derë ajo ka vendosur ta zgjidhë vetë çështjen duke ju drejtuar më në fund policisë.
“Kur u ngjita në banesë pashë fytyrën e tij të shpërfytyruar, por ai nuk pranoi që mos të më ndiqte pasi unë e shtyva me forcë. U ngjit në banesë së bashku me mua. Mbylli grilat, derën, dritaret, më shtyu me forcë dhe unë u rrëzova përtokë, dhe pastaj gjuajti mua dhe veten e tij. Kam kaluar në atë çast në gjendje shoku, nuk mbaj mend fjalët që më ka thënë, por di që jam dëmtuar në kraharor dhe në kokë. Nuk mendova asgjë tjetër në atë çast vetëm si ta qetësoja”, vijon më tej gruaja.
Gruaja tregon se si i gjithë ky ekstremitet i 40-vjeçarit shkaktohej nga bindja e tij për t’u rikthyer së bashku.
“Jam trembur jashtë mase kur ai nxori nga çanta dy kokrra dhe më kërkoi që t’i pija dhe që sipas tij pas kësaj nuk do zgjohesha më. Domethënë nuk do isha më, dhe sipas asaj që kuptova duke më dhënë kokrrat që ai këmbëngulte që t’i pija policia do mendonte që kisha kryer vetëvrasje. Njerëzit do mendonin njëkohësisht të njëjtën gjë”.
Grupi i hetimit tregon për kokrrat që burri i dha ish-partneres si dhe mënyrën se si gruaja shpëtoi nga vdekja.
“I kërkova qetësisht që kisha nevojë të shkoja në banjë. Me aq sa e njoh P. nuk e kisha parë asnjëherë në atë gjendje dhe pavarësisht kërcënimeve që më kishte bërë se do më shkatërronte mua dhe karrierën nuk e mendoja kurrë se ai do më shtynte në vetëvrasje.” Gruaja këmbëngul se jeta e saj shpëtoi pasi ajo shkoi në banjë dhe aty u mbyll duke hedhur kokrrat e ilaçeve në tualet. Ndërkohë që 40-vjeçari do të përfundojë në gjykatë për dhunë në familje dhe përndjekje.
Bëhet me dije se ndaj 40-vjeçarit nuk do ngrihet akuza e vrasjes së mbetur në tentativë, pasi nga këqyrjet dhe paketa e ilaçeve ato nuk ishin kokrra helmuese, por paracetamol. Sakaq janë administruar edhe mesazhet e shumta në WhatsApp të shkruara nga 40-vjeçari. Gazeta Si
Faxweb/