Gjykata e Posaçme urdhëroi SPAK të hetojë rastin e një punonjësi më burgun e Durrësit me iniciale G.Kushi, ndaj të cilit prokuroria e këtij qyteti kishte ngritur akuzën e korrupsionit.
Siç raporton gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, polici i burgut u denoncua nga një i burgosur i quajtur Marius , i cili njoftoi prokurorinë e këtij qyteti se punonjësi e kishte kërcënuar.
“Do ta nxij jetën këtu në burg, nëse nuk më jep 3 mijë euro””, thuhet se i ka thënë efektivi të burgosur.
Pasi e ka paralajmëruar, polici i ka lënë në një letër të verdhë me shkrim dore numrin e llogarisë, ku familja e të burgosurit duhet të hidhte shumën.
Siç rezulton, pas denoncimit të të burgosurit prokuroria e Durrësit kreu ekspertizën e shkrimit dhe me dyshimet se shkrimi i përkiste policit ngriti akuzë ndaj tij, dhe pikërisht atë të korrupsionit.
Sipas informacioneve të gazetares Anila Hoxha, rezulton se paratë nuk janë paguar, ndërkohë që çështja me komunikimin e akuzës dhe marrjen si të pandehur të policit u dorëzua tek një gjyqtar paraprak i këtij qyteti, i cili ka shpallur moskompetencën me konstatimin se ky hetim dhe gjykimi duhet shqyrtuar nga gjykata antikorrupsion në Tiranë.
Gjyqtari Erjon Çela sipas Anila Hoxhës pasi ka shqyrtuar çështjen ka vendosur që aktet hetimore të rikonsiderohen edhe njëherë nga SPAK, që duhet të bëjë të njëjtat veprime dhe t’ja dorëzojë të pandehur policin.