Erion Murataj PSD

Prej tetë muajsh pa përgjigje, banorët e Hotolishtit kanë bllokuar sot segmentin rrugor që kalon nëpër fshat, në shenjë proteste ndaj mungesës së transparencës për projektin e aksit Elbasan–Qafë Thanë.

Banorët kërkojnë sqarim të menjëhershëm për rrugën që, sipas tyre, në variantin aktual parashikon shembjen e rreth 30 shtëpive. Ata propozojnë ndërtimin e një tuneli, që do të kishte ndikim minimal në jetën e komunitetit dhe mjedisin përreth.

Protestuesit janë të shqetësuar edhe për kompensimin e ofruar nga shteti, duke e cilësuar si të pamjaftueshëm për të rindërtuar banesat e tyre. Një tjetër pikë kritike është kompensimi i tokave, për të cilat çmimi aktual prej 174 lekësh për metër katror është, sipas tyre, i papranueshëm.

Zemërimi i banorëve është përqendruar edhe ndaj zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Ata shprehen të zhgënjyer që Balluku nuk iu përgjigj thirrjes për takim këtë të martë, ndonëse një vizitë e saj ishte paralajmëruar më herët.

“Veprimi i ministres Balluku për të mos ardhur dhe për të sqaruar këta banorë është një absurditet shumë i madh”, u shpreh një banor i zonës. Protestuesit paralajmëruan bojkot të zgjedhjeve të 11 majit, nëse nuk merret një vendim i drejtë dhe transparent për projektin.