Mbi 23,600 qytetarë nuk do mund të votojnë pasi rezultojnë raste aktive me koronavirus në të gjithë vendin, dhe atyre nuk iu është mundësuar e drejta kushtetuese nga ana e institucioneve.
Më konkretisht mbi 17 mijë persona të infektuar janë vetëm në Tiranë, që do të ishin të mjaftueshëm për të nxjerrë një mandat deputeti, e për të vënë në diskutim shumë të tjerë me vendimin e tyre. KQZ dështoi që të gjente një dakordësi me palët, për të bërë të mundur ndryshime në Kodin Zgjedhor që do të mundësonte dhe votimin e personave të infektuar me Covid.
Nga të dhënat e vetë minisitrisë së Shëndetësisë në Fier janë mbi 2 mijë të infektuar, mbi 870 në Durrës, në Shkodër mbi 700 persona pozitivë me koronavirus. Një numër i konsiderueshëm qytetarësh positive janë edhe në Gjirokastër, Korçë, Vlorë, Dibër, Kukës, Elbasan, Berat dhe Lezhë.
Ndërkohë pak ditë më parë Ministria e Shëndetësisë ka publikuar edhe protokollin lidhur me masat antiCovid-19 për zgjedhjet e 25 Prillit.
Në pikën e parë të protokollit thuhet se punonjësit e zgjedhjeve dhe votuesit që kanë ethe, simptoma të frymëmarrjes ose nëse mendojnë se janë të prekur me Covid, duhet të qendrojnë në shtëpi.
Në protokollin e publikuar theksohet se sallat që do të përdoren si qendra votimi duhet të kenë hyrje dhe dalje të ndryshme në mënyrë që të respektohet distancimi fizik.
Çdo votues duhet të jetë i pajisur me maskë dhe kutitë e votimit duhet të jenë të vendosura të paktën 2 metra larg vendqëndrimit të anëtarëve të komisionit, po ashtu dhe dhomat e fshehta të votimit.
Faxweb.al