Gjyqet e shumta të humbura në arbitrazh po e detyrojnë qeverinë të aplikojë një format ndëshkimi dhe shpërblimi për përfaqësuesit ligjorë. Ndryshimet ligjore të propozuara parashikojnë kushtet dhe shkallën e penalizimit të juristëve të Avokaturës së Shtetit, nëse performanca në punën e tyre do të cilësohet si e dobët.

“Ndryshimet ligjore janë në fakt vetëm një “make-up” i lehtë për të ndërruar llojin e fytyrës dhe kjo kuptohet edhe nga pikëpamja e ndryshimeve të propozuara ligjore,” u shpreh Brikena Kasmi, ish-zv. ministre e Drejtësisë.

Masat ndëshkuese nisin me uljen e detyrë apo mbajtjen e 30 për qind të pagës për një afat deri në 6 muaj, si dhe pezullimin nga detyra deri në një vendimmarrje nga Avokati i Përgjithshëm i Shtetit.

Penalitetet do të vendosen duke marrë parasysh shkallën e gjetur të pakujdesisë, shpeshtësinë e gabimit, përvojën në sistemin e drejtësisë apo dëmin e sjellë.

“Gjëja që unë vlerësoj se përbën regres është në uljen e pavarësisë së pozicionit të personit që punon në Avokaturën e Shtetit. E kam fjalën këtu për të gjitha masat disiplinore të cilat cenojnë punën e avokatëve.”

Madje sipas ish-zëvendësministres së Drejtësisë, Brikena Kasmi, aplikimi i ndëshkimeve mund të prodhojë efekt “boomerang” duke bërë që avokatët të refuzojnë përfaqësimin e vendit në gjyqet e arbitrazhit ndërkombëtar.

Një avokat i mirë si fillim është i tillë për veten e më pas për shtetin. Nuk do të ketë më interes që Avokatura e Shtetit të thithë kapacitete.”

Projektligji ndërkohë parashikon edhe shpërblime dhe promovime për avokatët të cilët përfaqësojnë Shqipërinë në gjyqe ndërkombëtare të cilat fitohen.