Një 56-vjeçar shqiptar, i konsideruar nga shtypi italian si një nga trafikantët më të mëdhenj të drogës, është ekstraduar ditët e fundit në Itali. Prej 17 vitesh ai ishte në kërkim për llogari të autoriteteve italiane, por kohët e fundit jetonte në Bruksel të Belgjikës.

Është fjala për Ilir Meto, i cili ka ndryshuar emrin në Ilir Isufi. Ndaj tij kishte dy urdhër-arreste ndërkombëtare nga gjykatat italiane. Në vitin 2004 ndaj tij janë dhënë 14 vite burgim, ndërsa në vitin 2015 është dhënë një tjetër dënim në mungesë prej 15 vitesh. 56-vjeçarit i kanë ngelur për të shlyer edhe 26 vite burgim.

Ka qenë një sinjalizim i Anti-Mafias italiane të qytetit të Leçes për homologët belgë që njoftuan se shqiptari i kërkuar prej 17 vitesh strehohej në Bruksel.

Policia belge organizoi aksonin dhe mundi të prangosë shqiptarin e shumëkërkuar më datë 2 Mars. Më 27 Prill, pra 3 ditë më parë, ai u ekstradua në Itali ku do të vuajë dënimin e mbetur.

Shtypi italian dhe ai belg raportojnë se Ilir Meto ka qenë i përfshirë në trafikun e kanabisit, kokainës dhe heroinës. Emri i tij del edhe në rrjetin e trafikut të armëve. Banda italo-shqiptare ku ai bën pjesë thuhet se kishte lidhje me një organizatë italo-marokene.

Sipas mediave italiane, në botën e krimit Ilir Meto njihet me pseudonimin “Doktori” dhe konsiderohej si një trafikantët më të mëdhenj të lëndëve narkotike.

Faxweb.al