Përpos Gentian Sharrës, pjesë e bandës së Talo Çelës, i cili kishte vënë në rresht entet publike në Elbasan duket marrë miliona euro tendera përmes gruas së tij Olta Sharra, në skenë del një tjetër personazh, Nazif Bajrami, i cili ka ‘futur në xhep’ kupolën e Bashkisë Elbasan, duke ndarë dhe përvetësuar paratë publike përmes tenderave të paracaktuar dhe mashtrimit me zbatimin e kontratave.

Nazif Bajrami, i skeduar nga autoritetet zvicerane për trafik droge, ëshë themelues dhe pronar i kompnisë së ndërtimit Bajrami N.

Tenderat për Nazif Bajramin i firmos nënkryetarja e bashkisë Aulona Bylykbashi, me autorizimin të kryetarit Gledian Llatja. Ky i fundit përdor dorën e zonjës Bylykbashi pasi vetë ka frikë nga SPAK si subjekt i drejtëpërdrejtë i SPAK, qoftë edhe për shpërdorim detyre.

Mes të tjerash, zonja Bylykbashi ka firmosur edhe tenderin me vlerë 1.2 milionë euro për rikonstruksionin e shkollës mesme “Kostandin Kristoforidhi”, një tender ky me flamur të kuq korrupsioni, pasi janë skualifikuar të gjithë operatorët konkurrues përveç fituesit.

Fillimisht, me urdhër të zëvendëskryetares (Personi i Autorizuar) së Bashkisë Elbasan znj. Aulona Bylykbashi është ngritur një komisioni më 18 gusht 2022. Urdhri mban titullin: “Për krijimin e komisionit të llogaritjes së fondit limit 130,818,929 lekë” me objekt: “Rikonstruksion i shkollës mesme “Kostandin Kristoforidhi” (rikonstruksion dhe shtesë anësore 4 kate dhe palestër)”.  Në zbatim të këtij urdhri, është ngritur Njësia e Prokurimit e cila përbëhej nga tre nëpunës. Fondet janë miratuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë mbi fituesit e projekteve të reja për vitin 2022 në bashkëfinancim me Bashkinë Elbasan ku Ministria e Arsimit mbulonte 70% të vlerës dhe bashkia 30%, që do financohej në dy vite 2022-2023.

Gjithçka është formale, sepse fondi ishte caktuar dhe pazari ishte kryer. Ky fond nuk ndryshoi edhe pas rekomandimeve të bëra nga Agjencia e Prokurimit Publik, mbi dokumentet standarde të tenderit.

Pra, me shpejtësi rrufe, u njoftua tenderi dhe pas një jave, më 26 gusht 2022, nënkryetarja e publikoi njoftimin për “garën” mbi tenderin për rikonstruksionin e shkollës së mesme “Kostandin Kristoforidhi” me fond limit 130 818 926,00 lekë.

Më 12 shtator 2022, ku ishte data e fundit e pranimit të ofertave, rezulton se shprehën interes 3 kompani: “Bajrami N.” sh.p.k, “BE-IS” sh.p.k., BOE “Meteo” sh.p.k. & “Shendelli” sh.p.k.. Pazari do të kushtëzonte vendimet. Dy kompanitë e tjera u skualifikuan për mospërmbushje të kritereve. Këto ishin kritere të jashtëligjshme të vendosura qëllimisht për eliminimin e konkurrencës.

Pas këtij marifeti, Aulona Bylykbashi, me autorizim të Gledian Llatjas, firmos tenderin për Nazif Bajramin.

KLSH: Firma fituese nuk plotësonte kriteret

Gjatë auditimit të veprimtarisë së Bashkisë Elbasan, Kontrolli i Lartë i Shtetit, zbulohet ana e errët e zhvillimit të tenderit të shkollës. “Kërkesat e veçanta të kualifikimit janë hartuar nga komisioni i përbërë prej z.O.K , E.S dhe z. A.B, të cilat janë evidentuar në procesverbalin e datës 25.08.2022. Në lidhje me kriteret e vendosura, u konstatuan kritere të ekzagjeruara dhe të paargumentuara”, theksohet në një nga gjetjet e raportit.

Të pajustifikuara konsiderohen edhe kërkesat e tjera si: 1 punonjës i pajisur me certifikate “Përgjegjës për dëmet në mjedis”; 4 shoferë, 1 arkitekt, licence për “Për grumbullim, ruajtje dhe transportim i mbetjeve jo te rrezikshme”, 1 fabrike betoni,

Kështu, “Kërkesat mbi një punësim mesatar për periudhën Maj 2022 – Korrik 2022, i të paktën 100 personave, ndikon në kufizimin e pjesëmarrjes së tyre”, thekson KLSH. Lidhur më këtë konstatohet se “Referuar listës së punonjësve të kërkuar, janë rreth 39, duke filluar nga Drejtues projekti me licencën e shoqërisë si drejtues teknik, inxhinierë dhe punonjës të natyrave të ndryshme për të përmbushur detyrimet kontraktuale”.

Në fakt këto kritere përdoren me dy standarde. Dhe vjen konkluzioni bombë që përbën një shkelje të hapur të barazisë në tendera, pra një vepër penale. “Nga shqyrtimi i ofertës fituese, rezulton se Operatori Ekonomik “Bajramin N” nuk përmbush të gjitha kriteret e vendosura në Dokumentet Standarde të Tenderit”, shkruhet në raportin e cituar. Kompania nuk ka as shoferët dhe manovratorët e kërkuar, ndërkohë që ka falsifikuar dokumentet. Në listëpagesa, manovratorët paraqiten si shoferë. Ndërkohë nuk ka eskavator dhe as kamionët e duhur.

Në këto kushte kompania nuk duhej të kualifikohej dhe të shpallej fituese, ndërsa tenderi duhej anuluar.

Ky konstatim vesh me përgjegjësi penale komisionin e vlerësimit të ofertave dhe nënkryetaren Aulona Bylykbashi, e cila ka firmosur tenderin me autorizim të kryetarit.

Kompania Bajrami N shpk, gjatë viteve të fundit ka marrë 120 tendera, e vetme dhe në bashkëpunim, me vlerë rreth 60 milionë euro, kryesisht nga Bashkia Elbasan. Bashkëshortja e Nazif Bajramit, Anduena Bajrami (Prifti), ka qenë nënkryetare e Bashkisë Elbasan pas vitit 2013, duke ndikuar në përfitimin e fondeve.

Thellohet skandali, Bajrami mashtron me zbatimin e kontratës

Nazif Bajrami, pasi merr tenderat me pazar në tavolinë, mashtron me zbatimin e kontratave. Pasi lidhet kontrata në 27 qershor 2022, Nazif Bajrami dhe administratori Andon Prifti vjedhin paratë e tenderit përmes punimeve të pakryera, pra përmes mashtrimit me zbatimin e kontratës. Abuzimi konstatohet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Bajrami e ka dorën e lirë, pasi Bashkia Elbasan, autoriteti kontraktor që ka dhënë tenderin, mbikqyr zbatimin e kontratës. Meqenëse duhet të vidhet të paktën gjysma e vlerës së tenderit, pasi eliminohen ofertat më të ulëta dhe shpallet fituese oferta gati sa fondi limit, vjedhja vijon duke mashtruar me volumin e punimeve.

Edhe shkolla ‘mbaroi’ me vonesë

Kompania e ndërtimit Bajrami N, me administrator Andon Priftin, që është në pronësi të biznesmenit Nazif Bajrami, e ka zokon që pasi fitojnë tenderat, t’i vonojnë punimet dhe të vjedhë duke bërë letrat për punime fiktive. Pasi lidhin kontratat me Bashkinë Elbasan, vjedhin paratë përmes certifikimit të punimeve të pakryera.

Ndërsa, për të mbrojtur pazaret bashkëshortëve Bajrami dhe zyrtarëve të korruptuar, çuditërisht angazhohen disa drejtues institucionesh njëherësh. Menjëherë pas mbarimit të kontrollit të KLSH, do të vinte indirekt “reagimi zyrtar”. Kompania nisi më në fund punën, bashkia e detyruar nga nënkryetarja nisi të jepte deklarata se shkolla është “drejt” përfundimit. Kjo është pamja e faqes së parë të bashkisë Elbasan.

Ndërsa ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, e ka inspektuar shkollën çdo muaj me sa duket me porosi të veçantë.

Në foton më poshtë tregohet situata e shkollës në janar 2024. Në fakt shkolla duhej të kishte përfunduar sipas kontratës në qershor 2023.

Fotot e shkollës “drejt mbarimit” u shfaqën edhe në adresën në Facebook të kryeministrit Rama, më 25 maj 2024. Kjo është një nga fotot e asaj dite, ku tregohet palestra që sapo kishte nisur nga puna:

Bajrami i skeduar për trafik droge

Në dhjetor të vitit 2020, një shkresë e klasifikuar për 10 vjet nga Interpol Tirana, informon Departamentin e Policisë Kriminale mbi të dhënat e Interpol Bernës për aktivitetin e dyshimtë të Nazif Bajramit, një biznesmen i njohur në Elbasan.

Informacioni i referohet vitit 2019 e në vazhdim, ku zviceranët e konsiderojnë biznesmenin 55-vjeçar si një person të skeduar për trafik të lëndëve narkotike, në bashkëpunim.

Në shkresën e firmosur nga shefi i Interpol Tirana, zviceranët rendisin edhe emrat e bashkëpunëtorëve të biznesmenit, numrat e telefonit të secilit dhe vendet ku e zhvillojnë trafikun.

Këta shtetas ishin anëtarë të një organizate kriminale, të përbërë nga italianë dhe shqiptarë, që trafikonte sasi të mëdha droge nga Holanda, nga Gjermania, nga Spanja në Zvicër. Ky shtetas, nga viti 2018 deri në maj të vitit 2019, ka udhëtuar me makinën e tij, Land Rover…, në Shtutgart/Gjermani, në Holandë dhe në Spanjë”, – thuhet në dokumentin sekret.

Bashkëshortja e Bajramit, ish nënkreytare e Bashkisë Elbasan

Bashkëshortja e Nazif Bajramit, Anduena Bajrami (Prifti), ka qenë nënkryetare e Bashkisë Elbasan pas vitit 2013, pranë Lalë Qazimit dhe më pas Gledian Llatja.

Gjatë kohës kur gruaja ishte nënkryetare e Bashkisë Elbasan, bashkëshorti Nazifi merrte tendera nga Bashkia Elbasan.

Çifti i bënte procedurat në shtëpi, caktonin vetë fondin limit, kriteret dhe më pas shpallnin veten e tyre fitues. Vështirë të gjendet një skemë më flagrante korrupsioni, me kaq shumë fakte dhe lidhje konkrete. SPAK dhe BKH kanë një dosje korrupsioni pothuajse të kopsitur.PRAPASKENA.COM

Linku nga eshte marre lajmi

https://prapaskena.com/2024/11/24/dokumentet-tenderi-korruptiv-i-aulona-bylykbashit-per-bosin-e-droges-nazif-bajrami-per-shkollen-kostandin-kristoforidhin-ne-elbasan-fituesi-paracaktuar-nuk-plotesoi-kriteret-dhe