Pak javë para zgjedhjeve vendore të vitit 2023, kur Erion Veliaj fitoi mandatin e tretë, në media dolën dy intervista të një shtetasi italian i cili akuzonte kryebashkiakun e Tiranës se kishte lidhje me blerjen e një inceneratori të dështuar.

Sipas deklaratave të Gabriele Tarroni Longinotti të transmetuara në emisionin Piranjat pajisja e inceneratorit ishte marrë nga një kompani në Rumani, pasi nuk ishte shitur dot as në tregje të tjera si Zimbabve.

Sipas intervistave, Longinotti pretendonte se kishte zhvilluar disa takime me Veliajn, herë në Itali pranë zyrave të kompanisë “Bruno Presezzi” SPA, e herë në Tiranë, në ambiente publike.

Ish- kryebashkiaku i Tiranës ngriti një padi për shpifje në Gjykatë, proces gjyqësor i cili vijon prej dy vitesh.

Ndërkohë së fundmi avokatët e Veliajt dorëzuan në gjykatë një deklaratë noteriale të nënshkruar më 24 shtator 2025 në Modena, përpara noteres Rosa Chiarini.

Në këtë dokument, Longinotti tërhiqet nga çdo akuzë e mëparshme, duke pranuar se deklarimet e tij ishin të pavërteta dhe të nxitura nga premtime financiare.

Në dëshminë e re, ai sqaron: “Se nuk e ka parë apo takuar kurrë Erion Veliajn në Itali, as të vetëm e as me të tjerë, dhe as që një vizitë e tillë të ketë lidhje me çështjen e inceneratorit. Se nuk ka pasur asnjë kontakt me Veliajn, as në Tiranë e as jashtë vendit, nëpërmjet takimeve apo komunikimeve të tjera si telefonata apo mesazhe. Se nuk ka pasur dijeni apo prova që Veliaj të ketë qenë i përfshirë në blerjen e inceneratorit të kompanisë në Rumani. Se të gjitha pohimet e bëra në intervistat e tij ishin të pavërteta dhe ishin dhënë në këmbim të përfitimeve të ofruara nga media dhe individë të lidhur me to”.

Galeria fotografike (

1 / 3

)