Deputeti i Partisë Demokratike në Qarkun e Elbasanit, Blendi Himçi do të furnizojë me karburant Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Elbasan. Ashtu siç edhe Prapaskena paralajmëroi disa ditë më parë, kompania e karburantit të Himçit, Petrol Blue Energy, të cilën e ka kaluar formalisht në emrin e të vëllait Denis Himçi, është shpallur fituese e tenderit për furnizimin me naftë të qendrës shëndetësore, një nëndegë e qeverisë Rama.

Nuk është ndonjë sekret në Elbasan që Blendi Himçi është pronar i një karburanti po në Elbasan, administruar nga daja e tij dhe në pronësi të dyshuar fiktive në emrin e të vëllait Denis Himçi. Karburanti që ndodhet në autostradën Elbasan-Metalurgji, kamuflohet me kompaninë e karburanteve Petrol Blue Energy, themeluar 10 vite më parë.

Edhe pse kreu i PD Sali Berisha e ka shpallur tradhti të bërit biznes me qeverinë, kompania e Himçit ka nisur të marrë para publike përmes tenderave për furnizim me karburant.

Tenderin e fundit Himçi e ka marrë nga qendra shëndetësore Elbasan, institucion ku punon bashkëshortja e tij, Sinorela Himçi. Sipas burimeve tenderi është finalizuar me pazar në tavolinë dhe në formë të dyshuar korruptive.

Ndërkaq, krahas pagës në institucionin publik si dentiste, zonja Himçi deklaron edhe 26 mijë euro të ardhura në vit nga biznesi privat Neo Dent, për të cilin nuk figuron asnjë dokument në tatime.

Në deklarimin e pasurisë pranë ILDKPKI, krahas fshehjes së karburantit, Blendi Himçi dekaron gjashtë apartamente dhe një vilë. Si burim për të justifikuar pasurinë, Himçi deklaron të ardhura nga biznesi, kredi dhe trashëgimi. Pasuritë deklarohen në vlerë dukshëm më të ulët se sa vlera reale.

Deputeti i PD-së Blend Himçi, i njohur si ish mëkëmbës i ish kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini, deklaron rreth 8 mijë euro të ardhura nga aktiviteti sipërmarrës, pa specifikuar llojin e aktivitetit dhe kompaninë përkatëse. Përpos karburantit në emrin e vëllait, mbetet mister ky aktivitet sipërmarrës i Blendi Himçi nga i cili deklaron të ardhura. Edhe në CV-në e tij të vitit 2025, Himçi nuk referon ndonjë aktivitet biznesi në emrin e tij.

Deklarata pasurisë së deputetit demokrat që bashkonte votat me socialistët në Këshillin Bashkiak të Elbasanit për grabitjen e pasurive publike, përmban të dhëna të paqarta, duke ngritur dyshime të forta për fshehje pasurie dhe pastrim parash.

Vëllai i Himçit seks në këmbim të notave

Në shtator të vitit 2029, Policia e Elbasanit arrestoi vëllanë Blendi Himçi, Denis Himçi, pedagog në atë kohë në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Ndalimi i Denis Himçit erdhi pas një videoje të publikuar në media ku ai shfaqej duke kërkuar favore seksuale dhe dhurata një studenteje në mënyrë që ta kalonte në disa lëndëve ku ajo ishte mbetëse.

Në videon e publikuar nga “Stop”, pedagogu Denis Himçi shfaqej me një makinë luksoze tip ‘Audi’, ndërsa tregohet këmbëngulës duke i bërë komplimente dhe duke i premtuar vajzës veç marrjes së provimeve, edhe dhurata gjithashtu.

Skandali zhvillohej në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Studentja në fjalë, me pak “zell e gatishmëri”, do të merrte në pak ditë, të gjitha provimet e dy semestrave. Madje pedagogu do ta trajtonte mirë, me dhurata, telefona e masazhe të paguar në qendra estetike në Tiranë./Prapaskena.com