Pronari i një shtëpie në Maryland, i cili u përpoq të zhdukte nga shtëpia e tij 1.8 milionë dollarësh, gjarprinjtë që i kishin hyrë në bodrum, i vuri flakën vilës së tij.
Pronari i paidentifikuar i shtëpisë përdori qymyr si një burim nxehtësie në një përpjekje për t’i nxjerrë gjarpërinjtë, por flaka nuk u kontrollua dot.
Zjarri filloi rreth orës 22:00 në bodrumin e vilës shumëkatëshe, përpara se të përhapej në të gjithë pjesën tjetër të shtëpisë. Në kohën kur mbërritën rreth 75 zjarrfikës, çatia dhe një pjesë e strukturës së saj ishin shembur ndërsa flakët ishin disa metra lart.
Zyrtarët nuk thanë se çfarë lloj gjarpërinjsh kishin hyrë në shtëpi, por një ekspert i jetës së egër tha se nuk ishte e pazakontë që zvarranikët të kërkonin strehim në mot të ftohtë.