Olsi Rama, pas daljes nga SPAK u shpreh se nuk ka lidhje me asnjë nga personat e dosjes “Xibraka”, por njeh njërin prej tyre.
Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama, është paraqitur ditën e sotme në SPAK. Rama tha se ishte për të marrë një përgjigje nga Prokuroria e Posaçme.
Olsi Rama, pas daljes nga SPAK u shpreh se nuk ka lidhje me asnjë nga personat e dosjes “Xibraka”, por njeh njërin prej tyre.
Ai pranoi se ka udhëtuar me automjetin e këtij personi për të bërë një udhëtim dy dyditor në Selanik.
“Nuk e di se çfarë ka vendosur, SPAK. Kur ta hap do t’ju lajmëroj. E kam bërë kallëzimin sepse e kam konsideruar një manipulim të të gjitha fakteve. Për të dalë e vërteta. Nuk kam asnjë lidhje. Ju e dini se i kujt është automjeti. Unë i kam marrë automjetin për të shkuar dhe për të bërë një udhëtim dy dyditor në Selanik, nuk kam lidhje me asnjë nga personat, vetëm njëri njoh, do të vijë kurdo që të jetë nevoja.“- tha vëllai i kryeministri Rama.
Kujtojmë se Gazment Bardhi ka deklaruar dhe ka kërkuar hetim nga SPAK, lidhur me një përfshirje të mundshëm të vëllait të kryeministrit në udhëtimin që disa persona të akuzuar për çështjen “Xibraka”.
Ndërkohë Olsi Rama ka bërë kallëzim në SPAK për Gazment Bardhin për shpifje për akuzat e deputetit se është i lidhur me laboratorin e drogës në Xibrakë.
Hetimi për grupin e përfshirë në laboratorin e prodhimit të kokainës në Xibrakë nisi në dhjetor 2014, pas informacioneve të mbërritura në Shqipëri nga autoritetet gjermane. Në janar 2015, Prokuroria e Krimeve të Rënda vuri nën akuzë 9 persona për trafikim të lëndëve narkotike dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal.
Prokuroria e Krimeve të Rënda akuzoi Genci Xhixën si drejtues të grupit kriminal të përfshirë në laboratorin e kokainës, por ai nuk u arrestua asnjëherë nga policia. Anëtarët e grupit u dënuan me 104 vjet burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda, por dënimet u lehtësuan në Apel dhe disa prej tyre, si në rastin e Ermal Hoxhës dolën më herët nga burgu për “sjellje të mirë”.