Nga ana tjetër përballë hetimit pasuror të SPAK, është dhe Erzen Breçani dhe djali i tij, Eralbi Breçani. Eralbi rezulton se është administrator i një hidrocentrali në Tropojë, që ndodhet në lumin e Gashit në Valbonë.
“HEC DRITA ENERGY”, ku aksione ka dhe babai i Eralbit, Erzen Breçani, pritet të vihet në sekuestro prenventive nga prokuroria e posaçme SPAK.
Kompania është themeluar në vitin 2019 ndërsa pronarë të saj janë firmat “BREÇANI-R.O.S.P”. Por në emër të Erzen Breçanit, në shtator 2022 është regjistruar dhe një kompani tjetër me emrin “Breçani” me objekt:
“…investim, Operim, Prodhim, shfrytëzim, shitje i kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike nga të gjitha burimet e rinovueshme të energjisë elektrike si dhe të gjitha veprimtaritë e tjera ligjore që rrjedhin nga aktiviteti tregtar i energjisë elektrike…”.
Njëherësh hetime janë duke u kryer dhe për verifikimin e transaksioneve bankare të këtyre personave
Po kështu hetime në aspektin e hetimit të pasurisë SPAK do zhvillojë dhe ndaj Ervin Matës dhe babait të tij, Luan Mata, të cilët zotërojnë disa pasuri në Tiranë dhe jo vetëm.
Njëherësh shfaqen si ndërtues në një nga qendrat e banimit në zemër të Tiranës, siç është kulla tek ish-ekspozita “Shqipëria sot”.