GJKKO nuk pranon të kalojë për gjykim dosjen ndaj Ilir Beqajt…
Ilir Beqja, një nga hajdutët më të mëdhenj të kësaj mazhorance, vijon të tolerohet nga drejtësia. Pasi i shpëtoi disa herë hetimit për aferat në shëndetësi, Beqja u fundos te fondet e BE-së. Por edhe aty duket se po lëviz të gjithë gurët.
Gjykata e Posaçme ka vendosur të rikthejë pranë SPAK-ut, për plotësim hetimesh, dosjen SASPAC. Pak ditë më parë, dosja u dërgua për gjykim, por GJKKO e ka kthyer mbrapsht. Gjykata i ka caktuar detyra Prokurorisë së Posaçme, të cilat duhet t’i përmbushë deri në 30 tetor.
Në këtë dosje, Beqaj akuzohet për disa vepra penale, mes të cilave “korrupsion”, “shkelje e barazisë në tendera” dhe “mashtrim”, të kryera gjatë kohës që drejtonte SASPAC, agjenci shtetërore që menaxhonte fondet e BE-së në Shqipëri. Të bashkëpandehur me të janë edhe 10 persona të tjerë.
Në dosjen “SASPAC”, SPAK akuzon Beqajn për 6 vepra penale në 27 episode. Akuzat përfshijnë korrupsion në 2 raste, shkelje të barazisë në tendera në 8 raste, falsifikim dokumentesh në 9 raste, mashtrim me pasoja të rënda në bashkëpunim dhe fshehje pasurie në 3 raste. Hetimet lidhen me kohën kur ai drejtonte agjencinë që menaxhonte fondet e BE-së
Kujtojmë se ky nuk është rasti i vetëm për të cilin Beqaj akuzohet nga SPAK. Ish-ministri po gjykohet paralelisht në Gjykatën e Posaçme për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” në formën e grupit të strukturuar kriminal, gjatë nënshkrimit të kontratës koncesionare të “Sterilizimit”.
Lidhur me këtë çështje, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dënuar me 6 vite burg ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj. Me 6 vite burg biznesmenin Ilir Rrapaj. Marsela Sejranajt, Saimir Kadiu, Petref Mersini dhe Arben Gjata u dënuan me 3 vite e 6 muaj burg. Ndërsa Naile Ajazi u dënua me 1 vit e 6 muaj burg. Të gjithë përfituan ulje dënimi pasi kërkuan gjykim të shkurtuar.
Ndërsa ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, po gjykohet veçmas me procedurë të zakonshme, jashtë kësaj pjese të dosjes që tashmë është mbyllur.
Ilir Beqaj u zgjodh ministër i Shëndetësisë në kabinetin e parë të kryeministrit Edi Rama dhe, gjatë drejtimit të tij në vitet 2013-2017, u firmosën tre kontrata koncesionare prej dhjetëra milionë eurosh për shërbime të sistemit shëndetësor.
Prej vitit 2021, Beqaj drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC, post nga i cili u dorëhoq në nëntor të vitit 2023. Në tetor të atij viti, ai u bë gjithashtu pjesë e grupit negociator për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Por duket se në prapaskenë kishte zhvatur miliona.\Pamfleti






