Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare zhvilloi sot një takim me drejtuesit e shoqërive të sigurimit. Në takim u diskutua në lidhje me risitë dhe detyrimet që sjell ligji i ri “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, si edhe për ecurinë e tregut të sigurimeve pas vitit pandemik.
Drejtori i AMF-së, Ervin Mete u kërkoi drejtuesve të shoqërive të sigurimit marrjen e të gjitha masave të nevojshme për zbatimin e plotë dhe pa vonesa të ndryshimeve ligjore.
Ai kërkoi hartimin e procedurave të brendshme për trajtimin e shpejtë të kërkesave për dëmshpërblim në rastet e Raportit Evropian të Aksidenteve, pajisjen e të gjithë personave të siguruar me këtë formular, si edhe informimin e qytetarëve në lidhje me kushtet e reja të kontratës së sigurimit të detyrueshëm TPL bazuar në ndryshimet ligjore.
Në zbatim të ligjit të ri që hyn në fuqi më 1 korrik 2021, Autoriteti është angazhuar në hartimin e një sërë rregulloresh, të cilat përpara miratimit po i nënshtrohen procesit të konsultimit publik. Në këtë kuadër, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv vuri theksin te zhvillimi i një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës në funksion të miratimit të akteve nënligjore jo vetëm cilësore, por edhe tërësisht të zbatueshme.
Treguesit e muajve të parë të vitit 2021 sugjerojnë rikthimin në normalitet të tregut të sigurimeve, i cili në nivel primesh të shkruara bruto, por edhe dëmesh të paguara ka përmirësim të ndjeshëm, krahasuar edhe me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Në takim, Bordi u kërkoi shoqërive të sigurimit ruajtjen e një qasjeje konservatore dhe vëmendje të shtuar në treguesit e aftësisë paguese dhe mbulimit me provigjone.
Panorama Sport