Pamundësia për karrierë në Shqipëri, po e bën klasën e mesme të shohë si rrugë më të lehtë, largimin nga vendi. Eksperti i ekonomisë Dritan Shano, i ftuar në Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV tha se kultura e mbjellë në vendin tonë, është që për të siguruar një vend pune, duhet të mbështetesh te politika. Shano e shpjegon kështu:
“Kultura që është mbjellë në këtë vend është një kulturë otomane-komuniste. Nuk është piramidale por vertikale. Në majë të vertikales qëndron Rama, Berisha, ose dikush tjetër dhe ti nuk ngjitesh dot, po qe se nuk të hedhin ata një litar. Këtë litarin nuk ta çojnë asnjëherë deri në fund por e tundin në mënyrë që çdo njeri që është ambicioz por jo patriot, që e percepton politikën si një vilë në Lalëz apo diku tjetër, patjetër që do të bëjë çfarë është e mundur për ta kapur atë litar, duke vrarë këdo që e konkurron dhe duke thënë vazhdo mbaj litarin sepse unë do të bëj çfarë të duash ti”, u shpreh Shano në Dritare TV.