Të paktën 14 anëtarë të grupit më famëkeq të Barcelonës “Boixos Nois”, u arrestuan nga policia pas një kontrolli, ku u sekuestruan 300,000 euro para në thata, si dhe armë të ndryshme ilegale, drogë dhe rekuizita naziste.

Gjatë kontrolleve të kryera, policia katalanase arrestoi 14 anëtarët e grupit të njohur Barcelonës, të cilët tashmë përballen me akuza për trafik droge, shfrytëzim prostitucioni, posedim të paligjshëm të armëve dhe pastrim parash.

Në 18 shtëpitë e kontrolluara, njëra prej tyre shërbente si banesë, ku gratë detyroheshin të bënin seks me pagesë. Gjithashtu janë zbuluar 5000 bimë kanabis sativa, me peshë 42 kilogramë.

Përveç thikave të shumta, u sekuestruan dhjetë armë zjarri dhe shtatë anëtarë të Boixos tashmë janë dënuar me burgim të përkohshëm.

Gjithsej 20 llogari bankare u ngrinë, ndërsa tre shtëpi dhe 27 automjete u sekuestruan si pjesë e një operacioni që filloi në fillim të vitit 2020, afërsisht në një kohë kur Boixos u kthyen në titujt kryesorë për shkak të përleshjeve të dhunshme me ultrasit e Valencias.

Grupi Boixos Nois, ose Crazy Boys, nisi të funksiononte si një grup socialist i krahut të majtë në vitet 80, por më pas grupi ndryshoi krah dhe filloi të përkrah të djathtën ekstreme dhe fashizmin.

Ishin ata që hodhën kokën e një derri në “Camp Nou” në vitin 2002, kur ish-ylli i Barçës, Luis Figo u kthye atje si lojtar i Real Madridit. Gjithashtu ata ofenduan Luis Bassat, rivalin kryesor të presidentit aktual Joan Laporte në zgjedhjet presidenciale të vitit 2003, duke e quajtur atë një “çifut të ndyrë”.

Kur Laporta mori drejtimin e klubit, ai ia ndaloi atyre hyrjen në stadium. Pas këtij veprimi, Boixos e kërcënuan Laportan me vdekje me një mesazh të shkruar në shtëpinë e tij dhe një herë e sulmuan atë teksa po dilte nga shtëpia.