Policia e shtetit ka bërë bilancin e 24 orëve të fundit, ku janë goditur disa grupe kriminale, e persona të akuzuar për vepra të ndryshme penale.
Sipas njoftimit të policisë janë sekuestruar 6 kg lëndë narkotike në Tiranë. U finalizua operacioni “rrjeta” në Shkodër. Operacioni “Gracka” ka vënë në pranga dy shtetas të akuzuar për vjedhje. Në Fier u finalizua operacioni “Tregu” dhe së fundmi policia e Durrësit zbardhi aksidentin i cili solli vdekjen e një personi.
Policia e Shtetit, punë intensive operacionale për të parandaluar dhe goditur krimin.
Megaoperacioni antidrogë “Kutia e Pandorës” shkatërroi një grup kriminal dhe vuri në pranga 4 pjesëtarë të tij që shpërndanin sasi dhe doza drogash të forta. Policia e Tiranës sekuestroi 6 kg dhe 1100 doza heroinë dhe kokainë, si dhe shuma të konsiderueshme parash në lekë dhe në euro. Megaoperacioni vijon, për ta zbardhur plotësisht këtë veprimtari kriminale dhe për të vënë në pranga të gjithë autorët e saj.
Operacioni “Rrjeta” në Shkodër, evidentoi dhe goditi transportimin e 16 emigrantëve, me 3 automjete, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.
Raste vjedhjesh u goditën nga Policia e Tiranës dhe e Durrësit. Operacioni “Gracka” në Tiranë, vuri në pranga një shtetase, pasi kishte vjedhur para në banesën që mirëmbante, ndërsa operacioni “Eleven” në Durrës, vuri në pranga shtetasin S. T., pasi vodhi gjatë këtij viti, 11 biçikleta.
Policia e Durrësit zbardhi se një aksident me pasojë vdekjen, i ndodhur ditën e djeshme, kishte për shkak përplasjen nga një automjet, drejtuesi i të cilit u largua nga vendi i aksidentit, por u arrestua brenda 24 orëve.
Në Fier u finalizua operacioni “Tregu” që vuri në pranga pronarin e një biznesi të paregjistruar, i cili shiste celularë dhe pajisje të tjera elektronike të kontrabanduara.
Angazhimi në terren vijon edhe gjatë fundjavës, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe mbrojtjen e jetës, pronës dhe të drejtave të qytetarëve.