Ervis Daka, Maksim Koçi dhe Ado Xhika janë tre “ushtarët” e të shumëkërkuarit Talo Çela, të cilët janë ekstraduar sot nga Dubai dhe Policia Shqiptare i ka marrë në dorëzim në Aeroportin e Rinasit. Ata akuzohen për disa vepra të rënda penale dhe tashmë pritet të përballen me drejtësinë.
Tre shqiptarët që i fshiheshin SPAK duke u strehuar në Perlën e Gjirit janë arrestuar në Maj 2025 në Dubai, si rezultat i një operacioni të përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve të Emirateve të Bashkuara Arabe, dhe brenda një muaji janë ekstraduar.
Ervis Daka 38 vjeç,i akuzuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal.
38-vjeçari dyshohet të ketë bërë rolin e informatorit tek personat që kanë tentuar të ekzekutojnë shtetasin K. P., të ketë siguruar kushtet për vrasjen e A. S., si dhe të ketë strehuar për një kohë të gjatë Talo Çelën.
Maksim Koçi 39 vjeç, i akuzuar për për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer për interes dhe hakmarrje, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal.
39-vjeçari ka siguruar kushtet për vrasjen e shtetasve A. S. dhe A. C. alias A. S., ka qenë i përfshirë në ekzekutimin e shtetasve K. K. dhe I. A., si dhe ka ndimuar Talo Çelën për t’i shpëtuar drejtësisë.
Ado Xhika 40 vjeç, i akuzuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal. Ado Xixha ka strehuar prej dy vitesh Talo Çelën si dhe ka kryer shoqërimin e një gazetari me qëllim intervistimin e këtij të fundit.
Për të tre këta persona Gjykata e Posaçme Antikorrupsion dhe Kundër Krimit të Organizuar (GJKKO) ka caktuar në vitin 2024 masën e sigurisë “arrest me burg”.