Në Gjykatën e Posaçme seanca e Plumbit të Artë u çel duke vënë në pah mungesën e të arratisurit, Altin Ndoci.
Drejtoria e Burgjeve e kishte njoftuar zyrtarisht Gjykatën e Posaçme për arratinë e Altin Ndocit. Shkresa e DPB u lexua gjatë procesit gjyqësor.
“Nuk mund të bëhet shoqërimi i Altin Ndocit, pasi nuk ndodhet në ambientet e IEVP Durrës, si pasojë e arratisjes së tij nga Spitali Rajonal Durrës. Është shpallur në kërkim nga policia”, citoi gjykata shkresën e DPB.
Trupi gjykues vendosi që sot ta shtyjë seancën për çështje procedurale, derisa policia e shtetit të sjellë një shkresë zyrtare me informacionin e arratisjes së tij për të konfirmuar faktin.
Seanca e radhës është në 20 janar.
Altin Ndoci i shpëtoi policisë së burgjeve të martën e 13 janarit, duke u arratisur nga Spitali Rajonal i Durrësit pa gjurmë. Kjo shkaktoi arrestimin e tyre, shkarkimin e drejtorit të Burgut dhe u pezullua i gjithë zinxhiri komandues i institucionit të paraburgimit të Durrësit./vizionplus.tv






