Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, ka folur për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri.
Ai tha mbrëmjen e sotme në një intervistë në “A2cnn” se opozita nuk veproi mirë në procesin e zgjedhjes së Presidentit, por la të hapur një shteg për të votuar pro kandidatit të mazhorancës, nëse do të jetë figurë me integritet.
Më tej ai tha se nëse opozita do të marrë pjesë në votim, do të votojë kundër pasi sipas tij Rama do të do të sjellë një kandidaturë të vetën.
“Edhe nëse do të marrim pjesë në votim, do të votojmë kundër, pasi duket se Edi Rama do të sjellë një kandidaturë të vetën. Ndoshta mund të ketë një emër që mund të më tundojë, ndoshta… Por, besoj se do të jetë varianti i parë, pasi nuk kam besim se do të jetë një figurë me integritet. Pati faj edhe opozita që një çështje e tillë shkoi kështu.Opozita ka probleme mes vetes. Nëse ne do të gjenim të paktën një figurë të pakontestueshme, pavarësisht se mund të votohej kundër nga mazhoranca, kjo do të na jepte kredite politike. Por, ne nuk e bëmë dot këtë.
Opozita ende mund të dërgojë një kandidat nëse bie dakord. Por, nuk ka më kohë që të bëhet, plus që e dimë gjendjen e opozitës. Rithemelimi nuk merr pjesë në proces, ndërsa grupi tjetër thotë se “na e futi Rama”. Këtë punë, varet si e sheh. Mund ta shohësh me sy pozitiv, dhe t’i thuash “bravo të qoftë, se je lojtar”. Por, mund ta shohësh edhe me sy negativ e t’i thuash “mashtrues dhe intrigant”. Por, këtë radhë na e futi për fajin tonë. Kështu që, po na dhemb kjo punë. U bënë 8 vite që po na e fut, nuk shkon më kjo punë. Opozita duhet që të shohë jashtë vetes një orë e më parë. Nuk arrihet gjë kështu. Të dyja palët e PD-së vazhdojnë me të njëjtën histori, kur duhen edhe pak muaj nga zgjedhjet”, u shpreh Duka.