Kreu i SPAK, Altin Dumani ka bërë raportimin e tij në Kuvend për punën e Prokurorisë së Posacme të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit gjatë vitit 2022.

Gjatë fjalës së tij, Dumani ka evidentuar problematikat e SPAK, ku ka theksuar numrin e lartë të procedimeve të mbartura, teksa ka thënë se kësaj çështje i duhet dhënë menjëherë zgjidhje.

Altin Dumani: Problematikat e SPAK – më e madhe është numri i madh i procedimeve të mbartura dhe ngelet që ky vit, që nga fillimi dhe në 6 muajt në vazhdim, prokurorët të merren me çështjet e mbartura, duhet patjetër që t’i japim zgjidhje kësaj problematike.

Kemi vuajtur mungesën e infrastrukturës. 3, 4 ose më shumë hetues në një zyrë dhe në pamundësi për të ushtruar funksionet e institucioneve. Me vendim të Këshillit të Ministrave, SPAK ka marrë në pronësi një godinë që është pranë godinës dhe përmbush funksionet e SPAK. Kjo mund të quhet problematikë e zgjidhur.

Mungesa e ekstradimit të eksponentëve të krimit nga Emiratet e Bashkuara Arabe ka vënë në vështirësi hetimet. Nuk kemi as edhe një të ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Statusi financiar jo i kënaqshëm i ekspertëve të provave digjitale. Ne kemi një laborator, kemi rekrutuar 3 ekspertë, por trajtimi i tyre financiar lë për të dëshiruar dhe kemi frikë që mund të na largohen.