I shumëkërkuari Durim Bami është arrestuar në Dubai, me qëllim ekstradimin në Shqipëri.
Lajmi është konfirmuar nga vetë policia e shtetit, e cila bën me dije se i forti i Niklës përfundoi në pranga falë bashkëpunimit mes strukturave të Policisë së Shtetit dhe homologëve në Emiratet e Bashkuara.
“Si rezultat i shkëmbimit të menjëhershëm të informacionit, ndërmjet strukturave të Policisë së Shtetit dhe homologëve në Emiratet e Bashkuara, u arrestua në Dubai, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi D. B., 45 vjeç.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 15.05.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurise “Arrest në burg”, per veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale per te kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.
Vijon procedura per ekstradimin e ketij shtetasi drejt vendit tone,” njofton policia.
Kush ëshë Durim Bami?
Durim Bamin, një personazh i njohur i krimit në Shqipëri, i shumëkërkuar nga policia shqiptare dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar me vendim të SPAK në kuadër të mega-operacionit “Revanshi”.
Konkretisht në kuadër të operacionit “Revansh” Durim Bami akuzohet se kishte për të vrarë Arben Ndokën, Tori Xhecukën dhe Erigers Mihasin. Po ashtu sipas dosjes efektivi i RENEA-s, Altin Morina rezulton se kishte bashkëpunuar me Durim Bamin për të organizuar kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Niklës së Tapizës.
SPAK e shpalli sërish Durim Bamin, pasi akuzohet për veprën penale “krijimi i kushteve për krimin” dhe bëhet fjalë për atentatin që iu bë Marklen Hakës në 2019.
Atentati në 2019 ndaj Marklen Hakës
Në shtator të 2019 Marklen Haka, pjesë e “Bandës së Niklës”, do i bëhej atentat në derën e shtëpisë. Nga atentati humbi jetën halla e tij, Shpresa Basha, ndërsa Haka mori një plumb në krah.
Atentatorët kishin mundur të hynin në thellësi të fshatit Zezë të Fushë-Krujës, aty ku jetonin anëtarët e familjes Haka në fshehtësi të plotë dhe të padiktuar nga askush. Ata qëlluan me breshëri plumbash ndrej banesës së Hakës, ndërsa halla e tij ka qenë duke hapur derën, kur plumbat vërshuan drejt saj duke e lënë të vdekur në vend.
Pikërisht për këtë atentat Bami akuzohet si personi që ka siguruar kushtet për kryerjen e atentatit.
Durim Bami njihet si “i fortë” i Niklës. Ai është shoqëruar si i dyshuar për disa ngjarje të bujshme kriminale, por ndaj tij nuk janë gjetur prova për të qëndruar në qeli. Vite më parë, Durim Bami trazoi politikën shqiptare, kur deklaroi se se ishte vrasës me pagesë dhe ishte paguar nga Ilir Meta për të vrarë Tom Doshin.
Në 3 mars të 2015 ai është arrestuar nga policia për kallëzim të rremë pas akuzave të Tom Doshit, se ish-kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kishte porositur një atentat për ta ekzekutuar atë përmes Durim Bamit, kundrejt pagesës 500 mijë euro. Bami u kap në tentativë për t’u larguar drejt Malit të Zi.
Të pandehur bashkë me Durim Bamin, u morën Tom Doshi dhe Mark Frroku për të cilët Prokuroria kërkoi nga 1 vit burg për akuzën e kallëzimit të rremë. Por pas një odiseje 3 vjeçare gjyqësore sa në Gjykatën e Krimeve, në Gjykatën e Lartë, e në atë Kushtetuese gjithçka përfundoi me pafajësinë e Doshit dhe dënimin e Frrokut e Bamit, por asnjë prej tyre nuk qëndroi në burg, pasi dënimi u konvertua në shërbim prove.
Nga 50 urdhër arreste në total për shtatë grupe kriminale, 21 janë arrestuar, 29 janë akoma në kërkim, mes tyre edhe ish-deputeti i PS, Arben Ndoka.
Operacioni i zhvilluar nga SPAK, u finalizua në bashkëpunim me Europol dhe u shtri në disa qytete si Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Fushë Krujë dhe Rrëshen. Nga kontrollet e ushtruara në rreth 50 ambiente banimi, ku u arrestuan 14 persona ndërsa janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale pasuri me vlerë të përafërt mbi 4,5 milion Euro.
Anëtarët e shtatë bandave të rrezikshme, mes të cilëve dhe zyrtarë policie akuzohet se janë përfshirë në veprimtari kriminale, si vrasje, tentativa vrasje, kultivim kanabisi etj.
Besohet se një skuadër e terë me 16 persona i ishin vënë nga pas Durim Bamit me qëllim ekzekutimin e tij, për llogari të ish-deputetit të PS, Arben Ndoka. Financimin për të hequr Durim Bamin e mbulonte Ervis Martinaj. Ndërsa një grup i gjerë, emrat më të njohur të botës së krimit u angazhuan për të eliminuar të fortin e Niklës.
Shokë e miq të tij, mbi 16 persona u futën në skemën e intrigës por sërisht nuk mundën ta vrasin. Njeriu që ka goditur më tepër ka qënë Durim Bami. Ndërsa grupi tjetër smundi ta kapte dot, megjithëse ju mblodhën emrat më të njohur.
Vrasjen e Durim dhe Valter Bamit, e kërkonte medoemos ish-deputeti i PS, Arben Ndoka, i cili kishte dyshime të forta se Bami kishte marë pjesë në vrasjen e vëllait të deputetit, Aleksandër Ndoka në Lezhë.