DVP Elbasan/Vihen në pranga 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Goditet një rast i veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme në fushën e lojërave të fatit, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, se në një lokal në fshatin Labinot Fushë, organizohej kjo veprimtari e paligjshme, organizuan punën dhe ushtruan kontroll në këtë lokal.
Gjatë kontrollit, pronari i lokalit, shtetasi S. R., u kap në flagrancë duke vënë baste sportive, nepërmjet celularit . Në përfundim të veprimeve, shtetasi S. R., 30 vjeç, banues në Elbasan, u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.
Po nga spcialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan u arrestua në flagrancë shtetasi D. S., 20 vjeç, banues në Elbasan, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta ka goditur me sende të forta automjetin e shtetasit A. Y., banues në Elbasan. Gjatë kontrollit në automjetin e shtetasit D. S., shërbimet e Policisë gjetën një radio si ato të Policisë edhe dy shkopinj druri, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin R. H., 18 vjeç, banues në Prrenjas, Elbasan, pasi u kap nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale./Egnatia news