Në internet qarkullojnë lajme të rreme, sipas të cilave në zonat e përmbytura në Gjermani ujërat kanë nxjerrë 600 kufoma foshnjash e fëmijësh. DW analizon faktet dhe tregon si është përhapur ky lajm i rremë.
Më e rëndësishmja në fillim: Presidiumi i Policisë së Koblencit e quajti “fake news” – lajm të rremë – pretendimin për zbulimin e 600 kufomave në zonën Ahr të prekur nga katastrofa e përmbytjes dhe paralajmëroi nga përhapja “pa reflektim” e lajmeve të tilla në internet. Një zëdhënëse i tha DW-së, se „gjetja grumbull e kufomave janë thashetheme në qarkullim. Këto nuk janë verifikuar në asnjë nga vendet e përmendura, dhe një zbulim i tillë kufomash në këtë përmasë nuk është bërë e ditur asnjëherë tek ne.” Sipas të dhënave të policisë, numri i viktimave pas katastrofës së përmbytjes është 134 vetë (gjendja e datës 29.07.2021) në landin Renani-Palatinë (Rheinland-Pfalz), 80 viktima janë identifikuar, 69 vetë janë ende të humbur.
Nga e ka origjinën një lajm i tillë i rremë?
Aq sa mund të ndiqte gjurmët DW, duket se një kronikë lajmesh ka luajtur rol vendimtar, me kalimin e kohës kjo kronikë u vendos në një kontekst tërësisht të gabuar. Një sekuencë e shkurtër e një kronike televizive e një reporteri të televizionit gjerman, n-tv është përhapur dendur për të provuar me gjasë këtë pretendim.
Teori komplotiste pas lidhjes televizive të n-tv – një nga postimet e para në rrjetet sociale pas shifrën 600
Videoja në pyetje tregon 15 sekonda të një programi lajmesh të mëngjesit, të filmuar nga televizioni. Reporteri ndodhet para një mali rrënojash dhe raportin për situatën në vend. Fjalë për fjalë ai thotë. „…ende banojnë. Nga njëra anë ata kanë përjetuar gjëra traumatizuese. Ne mundëm të flisnim me banorët, që kanë gjetur kufoma fëmijësh në shtëpitë e tyrë, të cilat janë sjellë nga diku nga ujërat. Dhe nga ana tjetër qëndron pyetja, a do të ketë përmbytje të tjera? Ata thonë…”
Këtu ndërpritet regjistrimi.
DW iu drejtua televizionit n-tv për informacione. Një zëdhënës i grupit mediatik, RTL Gjermani, ku bën pjesë edhe ky televizion, konfirmoi, se klipi tregon “një sekuencë të shkurtuar tepër” të bisedës me reporterin, e cila është transmentuar më 22 korrik në emisionin e lajmeve të orës 09:00. Reporteri ndodhej këtë moment në Altenburg në Altenahr, një zonë mjaft e prekur nga katastrofa.