Prej disa ditësh platforma e-Albania po përballet me një bllokim teknik serioz, që ka sjellë pasoja për të gjithë: qytetarë brenda dhe jashtë Shqipërisë, por edhe biznese.
Në sistem nuk shfaqen data të lira për rezervime, për shërbime si aplikime për pasaportë, shërbime konsullore, dhe procedura të lidhura me Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), si regjistrime, ndryshime të të dhënave apo dokumente zyrtare për kompani.
Bllokimi i platformës e-Albania ka krijuar një zinxhir konfuzioni. Konsullatat thonë se aplikimet për ripërtëritjen e pasaportave bëhen vetëm përmes e-Albania, rrugë tjetër nuk ka.
Platforma e-Albania deklaron se oraret janë të mbushura ose sistemi është i bllokuar dhe i referon qytetarët te Ministria e Jashtme. Nga ana tjetër Ministria e Jashtme në Tiranë u kërkon qytetarëve të presin një “moment të dytë”, pa një afat konkret.






