Plagoset një shofer dhe një pasagjer.
Ndonëse kontrollet e policisë janë shtuar, dy aksidente të rënda janë regjistruar në pak orë në autostradën Tiranë-Durrës. Në orët e para të mëngjesit nga Durrësi në drejtim të Tiranës, një automjet ka humbur kontrollin dhe ka dalë në krahun tjetër të karrexhatës. Si pasojë janë dëmtuar drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri, të cilët u dërguan në spitalin e traumës për mjekim.
Vetëm pak orë më pas një aksident tjetër masiv u regjistrua pranë Qafë Kasharit, ku të paktën 5 automjete u përplasën. Si pasojë njëri prej mjeteve ka dalë jashtë rrugës, ndërsa 4 automjetet e tjera, janë përplasur njëra-pas tjetrës.
Sipas policisë ka vetëm dëme materiale, ndërsa ngjarja ka shkaktuar trafik të rënduar të qarkullimit të automjeteve.