Erion Murataj PSD

Dy avionë rusë që fluturonin afër hapësirës ajrore të NATO-s u zbuluan nga avionët luftarakë britanikë në dy incidente të ndryshme këtë javë siç konfirmon Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar për BBC.

Avionët RAF të mbretërisë së Bashkuar pikasën avionin e parë të inteligjencës ruse më 15 prill, ndërsa dy ditë më vonë pranë hapësirës ajrore të Kaliningradit u pikas një tjetër avion rus dhe sipas ministrisë së mbrojtjes së mbretërisë së bashkuar, të dy avionët u detyruan të devijojnë rrugën e nisur.

Alarmin për rrezikun e shkeljes së hapësirës ajrore të NATO-s e dha baza ajrore Malborkut në Poloni, ndërsa avionët e mbretërisë së bashkuar që mbrojnë krahun lindor të NATO-s, së bashku me Suedinë u vunë menjëherë në lëvizje.

Ministri për Forcat e Armatosura, Luke Pollard, deklaroi se Britania është “e palëkundur në përkushtimin e saj ndaj NATO-s”. “Me agresionin rus në rritje dhe kërcënimet për sigurinë në rritje, ne jemi të gatshëm të ruajmë sigurinë e aleatëve tanë, për të penguar kundërshtarët dhe për të mbrojtur sigurinë tonë kombëtare përmes Planit tonë për Ndryshim,” theksoi ai.

Pollard theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me Suedinë, duke e cilësuar këtë mision si provë të aftësisë për të operuar krah për krah me aleatët dhe për të mbrojtur hapësirën ajrore të NATO-s “kudo dhe kurdo që të jetë e nevojshme”. Por kjo nuk është hera e parë që avionët RAF përdoren për të përgjuar avionë rusë pranë hapësirës ajrore të aleancës.

Vetëm në vitin 2023, pilotët britanikë nga baza në Lossiemouth, Skoci, kapën 50 avionë rusë. Incidentet si ky, të njohura si alarme të reagimit të shpejtë, janë operacione standarde për të identifikuar dhe ndjekur avionë që paraqesin rrezik të mundshëm, përfshirë avionë ushtarakë rusë apo edhe civilë në raste emergjente.

Në një rast të ngjashëm në tetor të vitit 2024, avionë luftarakë të RAF u ngritën për të shoqëruar një avion civil që kishte raportuar një bombë në bord. Incidenti përfundoi pa pasoja dhe avioni boing vazhdoi fluturimin e tij normalisht./tch