Dy më të kërkuarit e drejtësisë shqiptare, Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj janë vënë në prangat e policisë. Lajmin e ka bërë të ditur kryepolici Muhamet Rrumbullaku, në një konferencë për media mesditën e sotme.

Ai ka sqaruar se falë punës së strukturave speciale të Policisë së Shtetit, këta shtetas janë lokalizuar dhe arrestuar me sukses, dhe aktualisht ndodhen në bllokun e sigurisë në Tiranë, gati për t’iu dorëzuar SPAK. 

Plaurent Dervishaj është kërkuar nga SPAK për një sërë ngjarjesh kriminale dhe deri pak kohë më parë ndodhej në Dubai, ku u arrestua dhe fitoi përsëri lirinë për shkak se mungon një marrëveshje ekstradimi mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Ai është dhe kunati i Lul Berishës.

Ai dyshohet se ka gisht në atentatin e nëntorit 2019 ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, i cili mbeti i plagosur bashkë me pasagjerin tjetër Aleksandër Laho, ndërkohë vdiq në vend shoferi Andi Maloku. Për ngjarjen është arrestuar vetëm Redjan Rraja.

Bashkë me Rrajën, në qeli ndodhen Bashkim Haxhija, Marsel Deçka, Endrit Sinani, Genti Ndërjaku i njohur edhe me emrin Kili Ndërjaku dhe Juljan Pjetri. Në kërkim ishin shtetasit Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj e Ramazan Rraja. Tashmë, të tre këta shtetas janë të gjithë të arrestuar.

Kurse Julian Meçaj, është cilësuar si numri dy i bandës së Durrësit, roli dhe ndikimi i të cilët u zbulua edhe më në detaje pas arrestimit të Adriatik Colit, një nga anëtaret e bandës. Më 20 qershor të 2019 Julian Meçajt iu bë atentat në Durrës teksa lëvizte me makinë me Plaurent Dervishaj dhe të dy mbetën të plagosur.

Ngjarja ndodhi në zonën e ish-kënetës, pranë mbikalimit të Shkozetit në Durrës, ku dy të plagosurit ishin duke hipur në makinën e Dervishaj. Meçaj mori tre plumba në trup, ndërsa Plarent Dervishaj morri një plumb në këmbë. Brenda makinës tip Rande Rover ishte edhe Bashkim Haxhija, mik i tyre, i cili u arrestuar sepse qëlloi me armë në drejtim të autorëve.

Ky shtetas është arrestuar në SHkurt 2024 në Dubai. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana pasi Gjykata e Posaçme i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për disa vepra penale, për përfshirje në atentatin ndaj ish-prokurorit Ndoja.