Dy persona u gjetën të vdekur në një pyll të largët ndërsa kërkonin për Sasquatch, i njohur zakonisht si Këmbëmadhi, sipas autoriteteve në shtetin Uashington.

Dy burrat nga Portland, u gjetën pa shenja jete pas një kërkimi tre-ditor që u nis në ditën e Krishtlindjes pasi një anëtar i familjes raportoi se ata të dy nuk ishin kthyer nga një udhëtim në Pyllin Kombëtar Gifford Pinchot për të kërkuar prova të krijesës mitike.

Kërkimi përfshiu mbi 60 vullnetarë që kërkonin me avionë dhe qen në terrene të pyllëzuara dhe kushte moti brutalisht të ftohtë, tha në një njoftim për shtyp Zyra e Sherifit të Qarkut Skamania.

“Të dyja vdekjet duket se janë për shkak të ekspozimit, bazuar në kushtet e motit dhe gatishmërinë e keqe”, thuhet në deklaratë.

Zyra e sherifit gjeti një makinë që i përkiste viktimave pranë qytetit Willard, thuhet në deklaratë dhe kërkimi u ripërqëndrua në atë zonë. U përdorën gjithashtu drone. BBC raporton se viktimat ishin të moshës 37 dhe 59 vjeç, teksa autoritetet nuk dhanë emra.

Kushtet e motit në malet e Kaskadës kishin qenë të ftohta ditët para dhe gjatë kërkimit, të cilat përfshinin borë, shi të acartë dhe temperatura nën zero gradë celsius. Ekipet e shpëtimit gjithashtu duhej të luftonin nivelet e larta të ujit në lumenj dhe pemët e rrëzuara.

Qindra shikime të Këmbëmadhit janë raportuar në Paqësorin Veriperëndimor të Shteteve të Bashkuara dhe në Kanadanë perëndimore. Krahas përbindëshit të Loch Ness, krijesa është një nga kriptidet më të famshme në botë.

Ka pasur kaq shumë shikime të supozuara saqë disa komunitete kanë marrë masa humoristike për të mbrojtur krijesën mitike me flokë. Në qarkun Skamania, ku dyshja u zhduk, një person mund të dënohet me një vit burg ose një gjobë prej 1000 dollarësh nëse një nga krijesat e folklorit dëmtohet.

Top Channel