Teksa na ndajnë edhe dy javë nga zgjedhjet e 14 majit, OSBE/ODIHR ka publikuar një raport të ndërmjetëm.
Në raport thuhet se mjedisi politik vazhdon të jetë i karakterizuar nga polarizimi i thellë nëpërmjet kryetarëve të partive të madhe.
Në raport evidentohen dy raste të dhunës gjatë fushatës zgjedhore, ndërsa theksohet se në njërën prej tyre është rrezikuar jeta e një anëtari partie.
Më tej thuhet se deri tani fushata nuk ka qenë e bujshme dhe se ka patur një ton të moderuar.
“MVZ-ja e ODIHR-it është në dijeni të dy rasteve të dhunës, në njërën prej të cilave u rrezikua jeta e një anëtari partie. Ndryshimet e fundit paraqitën masa të tjera mbrojtëse kundër abuzimit me burimet shtetërore. Megjithatë, shumë bashkëbisedues të MVZ-së së ODIHR-it ngritën shqetësime lidhur me iniciativat e fundit të ndërmarra nga qeveria, siç është bonusi i pensionistëve dhe premtimet e kryeministrit lidhur me pagat e punonjësve të sektorit publik. Komisioneri deklaroi publikitësht se sipas interpretimit të tij, dispozitat ligjore përkatëse zbatohen vetëm për zgjedhjet parlamentare”, thuhet ndër te tjera në raport.
Më tej në raportin e ndërmjetëm të OSBE/ODIHR citohet se mjedisi mediatik është i shumëllojshëm, me operatorë të shumtë që veprojnë në një treg të kufizuar reklamash. Disa bashkëbisedues të MVZ-së së ODIHR-it ngritën shqetësimet se përqëndrimi dhe kontrolli i mediave nga ndërthurja e interesave të biznesit dhe interesave politike, krijojnë pengesa për pavarësinë editoriale dhe i bëjnë gazetarët të pambrojtur ndaj presionit dhe vetë-censurimit