Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të mblidhet sot në orën 10 e 30 në selinë blu për të diskutuar në lidhje me raundin e tretë për Presidentin e Republikës.
Burime bëjnë me dije se takimi i sotëm do të jetë për t’u komunikuar deputetëve pretendimin e opozitës se maxhoranca ka shkelur marrëveshjen e arritur të mërkurën e kaluar dhe, për pasojë, PS ka humbur besimin e PD-së, ndaj qëndrimi pritet të jetë që edhe në raundin e tretë të mos ketë një propozim nga ana e opozitës.
Kujtojmë që Alibeaj pretendon që kandidati për President të vinte si një kandidaturë e opozitës, por që në Parlament të depozitohej edhe me firmat e maxhorancës. Kërkesë kjo që u refuzua nga socialistët, të cilët ishin dakord për të diskutuar për një kandidaturë konsensuale, por pa dhënë firmat e maxhorancës. Sakaq, kujtojmë që Fatmir Mediu dhe Mesila Doda i bënë presion Alibeajt në Konferencën e Kryetarëve që opozita të ketë një propozim.
“Ne si deputetë jemi betuar për të respektuar Kushtetutën. Kushtetuta e ka përcaktuar si zgjidhet Presidenti. Është e pafalshme që Kuvendi t’i humbasë solemnitetin zgjedhjes së qytetarit të parë të vendit, për t’i dhënë atij autoritetin e nevojshëm, por të bëjë të kundërtën në diskutime krejt të pavlefshme. Çështja nuk është si do të veprojë maxhoranca. Sepse të dyja palët jemi në përgjegjësinë tonë për të ofruar konsensus. Do t’i bëj thirrje opozitës. Duhet të dalim me një kandidaturë të vetme që ne të futemi në një proces serioz për të zgjedhur një autoritet moral. Pavarësisht diferencave të vogla, nëse nisemi për të gjetur një kompromis, ne duhet të dëgjojmë njëri-tjetrin. Ne duhet të çojmë një kandidaturë në raundin e tretë. Përpara se të kërkojmë përgjegjësi nga pala tjetër, do duhet të gjejmë përgjegjësi te vetja jonë”, tha dje Mediu në Konferencën e Kryetarëve.