
Dy tërmete të forta radhazi kanë tronditur Stambollin pasditen e së mërkurës. Konkretisht, i pari ka ndodhur në orën 12:49 me orën lokale dhe ka qenë me magnitudë 6.2 ballë të shkallës Rihter, ndërsa pak më vonë është regjistruar edhe një pasgoditje me magnitudë 5 ballë të shkallës Rihter.
Lëkundja kryesore është pasuar nga disa tërmete më të lehta, përkatësisht me magnitudë 3.9 dhe 4.4 ballë.
Megjithëse deri tani nuk ka raportime për persona të lënduar apo dëme materiale, qindra qytetarë të frikësuar kanë dalë në rrugë dhe zona të hapura, ndërsa shumë prej tyre janë parë me lot në sy nga paniku dhe pasiguria. Parqet dhe hapësirat publike janë mbushur me njerëz që kërkojnë siguri larg ndërtesave.
Autoritetet janë në gatishmëri dhe vijojnë të monitorojnë situatën, ndërsa qytetarëve u është bërë thirrje të qëndrojnë të qetë dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare.
