Gjykata e Posaçme ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Erjon Alibej, Xhuljan Hoxhën, Euglen Halilin. Në GJKKO është zhvilluar sot seanca paraprake.
Kujtojmë se Prokuroria e Elbasanit shpalli moskopetence dhe kaloi në SPAK dosjen hetimore ndaj Erjon Alibejt, i cili dyshohet se është porositësi i dy vrasjeve në verën e vitit të shkuar në qytetin e Elbasanit.
Alibej akuzohet si porositësi i vrasjes së Emiljano Ramazanit dhe mikut të tij Regis Runajt në korrik të vitit 2020 në Elbasan. Në lidhje me këto krime, policia arrestoi fillimisht në atë kohë Xhuljano Hoxhën dhe Eugen Halilin si ekzekutorët e Ramazanit dhe Runajt në 20 dhe 27 korrik 2020.
Ndërsa në Shtator të 2020-ës, zyrtarisht Policia e Elbasanit deklaroi se porositës i dy vrasjeve ishte Erjon Alibej. I njohur edhe me emrin Andrea, ai u arrestua më 18 shtator me akuzën vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim.
Erjon Alibej është vëllai i Indrit Alibejt, të ekzekutuar në Elbasan në Dhjetor të 2018-ës. Seriali i ngjarjeve dyshohet të ketë ndodhur për prishjen e pazareve të drogës. /abcnews.al