Karim Benzema mund të jetë risia e madhe e kombëtares së Francës për Europianin e kësaj vere. “L’Equipe” po spekulonte me lajmin, ndërsa “Le Parisien” e mori si të mirëqenë këtë mëngjes. Siç ka mësuar “Marca”, Deschamps ka qenë duke menduar për situatën e tij prej disa kohësh dhe është i gatshëm ta përfshijë bomberin e Real Madridit në kombëtare, pas shumë vitesh mungesë.

Gjithçka tregon se francezi do të kthehet të luajë me kombëtaren e tij gati 6 vite pas ndeshjes së fundit. I ndëshkuar që nga viti 2016, ai nuk ishte as në “Euro 2016” dhe as në Kupën e Botës 2018, në Rusi.

Mirëpo, momenti spektakolar i formës sportive me “Los Blancos” duket se do ta gjunjëzojë Deschamps. Në Francë, kthimi i tij krijuar zhurmë prej dy vitesh, lënia jashtë kombëtares për atë histori të para 6 viteve dukej çmenduri. Benzema, i cili pret lajmin me optimizëm, do ta veshë përsëri fanellën e kombëtares së “gjelave”.

Fakti që lista e skuadrës është zgjeruar në 26 lojtarë, gjithashtu e lehtëson thirrjen e tij, pasi Deschamps nuk dëshironte të linte jashtë kampionët kryesorë të botës. Rikthimin e ndihmon gjithashtu fakti se për të dytin vit radhazi, Benzema është emëruar nga Liga Franceze (në një votim nga lojtarët) si lojtari më i mirë në vend dhe jashtë vendit.

Le Grawt, presidenti i Federatës Franceze, gjithashtu ka bërë mjaft që ai të kthehet, pavarësisht nga fakti se gjatë këtyre gjashtë viteve kanë pasur përplasjet e tyre. Mbi të gjitha rikthimin e “vulos” performanca e Benzema dhe fakti që Franca, çuditërisht, nuk ka qenë shumë finalizuese kohët e fundit.