“E bukura Amerikë,” kjo është tema e zbukurimeve të Krishtlindjes këtë vit në Shtëpinë e Bardhë. Melania Trump thotë se tema u zgjodh për të shpalosur “madhështinë“ e Shteteve të Bashkuara.

Zbukurimet në pemën e Krishtlindjes që është vendosur në Dhomën Blu të Shtëpisë së Bardhë, një bredh i sjellë nga Shepherdstaun i Virxhinias Perëndimore, u krijuan nga nxënës në të gjithë vendin, të cilëve Shërbimi Kombëtar i Parqeve u kërkoi të vinin në dukje individë, vende dhe objekte që spikasin nga bukuria në shtetin e tyre. Punonjësit e shërbimeve jetike që përballen përditë me pandeminë që ka vrarë mbi 260,000 vetë në Shtetet e Bashkuara, nderohen me një pemë të vendosur dhe zbukuruar në Dhomën e Kuqe.

Një maket i Shtëpisë së Bardhë i bërë i tëri prej biskote, çokollate dhe kremi zbukurues, me peshë prej 181 kg, për herë të parë përfshin edhe kopshtin e trëndafilave, i cili kohët e fundit u rregullua me nismë të zonjës Trump dhe tani mban emrin Kopshti i Zonjave të Para. Kjo është Krishtlindja e fundit që familja Trump do të kalojë në Shtëpinë e Bardhë, megjithëse Presidenti Trump vazhdon të këmbëngulë, megjithë faktet e shumta që dëshmojnë të kundërtën, se ka fituar në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Presidenti i zgjedhur Joe Biden dhe nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris do të bëjnë betimin më 20 janar. Vullnetarë nga i gjithë vendi kanë ndihmuar për zbukurimin e Shtëpisë së Bardhë pas Ditës së Falenderimeve, kur filluan të vendosen 62 bredhat, 106 kurorat zbukuruese, mbi 366 metra shirita festivë dhe mbi 3200 llampa. Shtëpia e Bardhë ftoi gazetarët të hënën të vizitonin mjediset e zbukuruara për Krishtlindje.

“Gjatë katër viteve të fundit kam pasur nderin të vizitoj disa nga pikat më të bukura të këtij vendi dhe të takoj qytetarët më të dashur e më patriotë të Amerikës,” tha përmes një deklarate Zonja e Parë. “Nga një oqean në tjetrin, lidhjet që kanë amerikanët mes tyre ushqehen nga respekti për traditën, vlerat, historinë, të cilat kanë shërbyer si frymëzim për zbukurimet e këtij viti”.