Rayan ka vdekur. Ekipet e shpëtimit të Marokut arritën vetëm sot, e shtunë, ta nxjerrin nga pusi ku kishte rënë 5 ditë më parë (prej ditës së martë), por djali 5-vjeçar tashmë ishte i pajetë.
Pas ditësh të tëra gërmimesh, një ekip mjekësh shkuan me nxitim në tunelin e ndërtuar për ta nxjerrë jashtë. Sipas burimeve marokene, fëmija ishte gjallë në momentin e daljes nga pusi.
“Një skenë prekëse dhe e paparë më parë”, shkruan gazeta Le Matin, duke raportuar përfundimin e operacionit për nxjerrjen e vogëlushit.
Një gazetar i Associated Press, i pranishëm në vendngjarje, e pa atë të mbështjellë me një batanije të verdhë.
Megjithatë, pak më vonë, një deklaratë zyrtare njoftoi vdekjen e 5-vjeçarit.
Kabineti i Shtëpisë Mbretërore të Marokut konfirmoi se “fëmija vdiq nga plagët e marra gjatë rënies”. Mbreti i Marokut, Muhammed VI, i shprehu ngushëllime familjes.
Në vendin e ngjarjes ndodheshin prindërit e fëmijës, në një ambulancë pak çaste para se Rayan të nxirrej nga pusi – dhe qindra njerëz të tjerë, të cilët mbaheshin në distancë nga forcat e ushtrisë, ndoqën operacionet e shpëtimit dhe u gëzuan kur panë mjekët, të pavetëdijshëm se gara me kohën për të shpëtuar djalin kishte qenë e kotë.
Si filloi historia
Gjithçka nisi të martën, kur Yan po luante para shtëpisë së tij në fshatin Tamrout, në veri të vendit, 100 km larg Chefchaouen. Ishte pasdite në shoqërinë e babait të tij. Ky i fundit do të deklaronte: “Unë e mbajta, por ai u zhduk papritur, nuk e pashë më dhe nuk e kuptova që kishte rënë atje”.
5-vjeçari ra në një thellësi prej 32 metra në pusin e familjes. Fundi i rënies ishte vetëm 25 cm i gjërë.
Pak pas ngjarjes i gjithë fshati u ngrit në këmbë, disa tentuan të zbresin me litar.
Pusi sa vjen dhe ngushtohet. Rayan ishte gjallë, ankohej, thërriste nënën e tij.
Të nesërmen vjen Mbrojtja Civile, Rayanit i dërgohet oksigjen, ujë dhe diçka për të ngrënë. Ai është i përhumbur, por reagon, vullnetarët vazhdojnë të flasin më te.
Tentohet të gërmohet një tunel paralel: 5 eskavatorë punojnë gjithë natën për të krijuar një humnerë dhe përpiqen të arrijnë te Rayan, me një korridor horizontal.
Të premten gjatë gërmimeve arrihet thellësia ku ndodhej i vogli dhe nisin punimet për ndërtimin e tunelit, në një garë të dëshpëruar me kohën e karakterizuar nga vështirësi; shkëmbinjtë pengojnë shpimet, toka shembet.
“Kam besim se djali im do të dalë i gjallë nga ky pus” – tha babai i Rayan mbrëmjen e kaluar në televizionin shtetëror 2M – falenderoj të gjithë ata që janë mobilizuar dhe ata që na mbështesin në Marok e gjetkë”.
Pastaj orë të tëra pritje. Deri në epilogun tragjik të së shtunës në mbrëmje…