• AKSIK ka refuzuar pajisjen me certifikata sigurie të 31 deputetëve të PS dhe PD, mes tyre emra të hetuar nga SPAK dhe të lidhur me afera korrupsioni, pastrim parash dhe grupe kriminale. Verifikimi i figurës po bëhet pasi kanë marrë mandatin, duke ekspozuar parlamentin ndaj rrezikut të aksesit në informacion të klasifikuar.

Ka nisur filtrimi nga agjencitë e gjurmimit që verifikojnë zyrtarët me dosje penale dhe të dhëna për mungesë integriteti, si të përfshirë personalisht apo familjarisht në aktivitete të paligjshme.
Autoriteti Kombëtar i Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (AKSIK) (ish-DSIK), në bashkëpunim me agjencitë partnere të SHBA-BE, ka hedhur hapin e parë konkret në zbatim të ligjit për dekriminalizimin e Parlamentit Shqiptar.

Sipas informacionit të ardhur në “Pamfleti”, ky autoritet që merret me figurën e personave të emëruar e të zgjedhur, nuk ka pajisur 31 deputetë të PS dhe PD me certifikata sigurie, të mbështetur në përcaktimet ligjore për dekriminalizimin dhe faktet e indiciet që disponon.

Raporti që Autoriteti Kombëtar i Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (AKSIK) i ka dërguar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, shoqërohet me emrat e 31 deputetëve të cilët aktualisht nuk plotësojnë kriteret për t’u pajisur me certifikata sigurie.

31 deputetë pa certifikatë sigurie: lista që trondit parlamentin

Në listën e atyre që nuk mund të pajisen me certifikata sigurie janë 14 deputetë të PD-së & Koalicionit, konkretisht:

Sali Berisha, Flamur Noka, Fatmir Mediu, Gjin Gjoni, Albana Vokshi, Erisa Xhixho, Kliti Hoti, Xhelal Mziu, Arian Ndoja, Bledjon Nallbati, Edmond Haxhinasto, Klodiana Çapja, Luan Baçi dhe Brunilda Haxhiu.

Ndërsa 17 deputetë janë të PS-së, konkretisht:

Olta Xhaçka, Ogerta Manastirliu, Ornaldo Rakipi, Agron Malaj, Loer Kume, Arkend Balla, Ani Dyrmishi, Tërmet Peçi, Pirro Dhima, Ceno Klosi, Klevis Jahaj, Xhenis Çela, Bujar Rexha, Sara Mila, Saimir Hasalla, Olsi Komici dhe Agron Gaxho.

Autoriteti Kombëtar i Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka refuzuar t’i pajisë këta deputetë të PD-së dhe PS-së me certifikata sigurie, të mbështetur në informacionet specifike që disponon.

Por publikisht dihet që shumë nga këta deputetë janë në proces hetimi dhe gjykimi nga SPAK e GJKKO, ndërsa për disa të tjerë kanë dalë emrat si të përfshirë në afera korrupsioni, pastrimi parash dhe grupe kriminale.

Përveç 31 deputetëve të refuzuar, janë në proces verifikimi figure edhe 25 deputetë të tjerë, të rinj e të vjetër, por për të gjithë këta Autoriteti Kombëtar i Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (AKSIK) ka kërkuar informacion shtesë dhe të përditësuar nga Prokuroria e Përgjithshme, SPAK, SHISH dhe agjencitë partnere të SHBA-BE.

Është paradoksale që deputetëve u verifikohet integriteti dhe aktiviteti pasi marrin mandatet, kur sipas ligjit verifikimi duhet të bëhet në fazën e kandidimit, për të ndaluar futjen e tyre në parlament, sidomos të atyre me dosje penale apo me përfshirje në veprimtari të paligjshme.

Sepse disa prej këtyre deputetëve janë anëtarë në komisionet parlamentare të sigurisë kombëtare, të Çështjeve të Brendshme dhe Mbrojtjes, të Evropës dhe Punëve të Jashtme, dhe të Ligjeve, ku kalojnë informacione sekrete./Pamfleti