Me shumicë votash deputetët e Kuvendit të Shqipërisë kanë rrëzuar kërkesën e opozitës për mocion me debat me kryeministrin Rama, pas daljes në dritë të skandalit me ish-agjentin e FBI-së, Mc Conigal.
Sipas kërkesës së disa deputetëve të opozitës, Rama duhet të japë shpjegime në lidhje me takimet e tij me agjentin e FBI-së, përfshirjen e tij në ‘kurdisjen’ e disa investigimeve për lobimet e PD-së në Washington dhe përfshirjen e tij në disa kompani te dyshimta që operojnë në Shqipëri. Gjithashtu opozita ka ngritur akuza dhe për përfshirje në investime në vend dhe të disa sipërmarrësve rusë, të lidhur ngushtë me liderin rus, Vladimir Putin.
Por pasi kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla e hodhi në votim ndryshimin e rendit të ditës për të përfshirë në seancë dhe mocionin për debat, me shumicë votash kjo kërkesë ra poshtë.
Ndërkohë foltorja ishte bllokuar nga Berisha dhe mbështetësit e tij, të cilët kërkojnë praninë e Ramës dhe dhënien e shpjegimeve në lidhje me këto afera që kanë tronditur opinionin publik në Amerikë dhe Shqipëri.
Berisha kërkoi që Rama të japë dorëheqjen e menjëhershme dhe t’u hapë rrugë hetimeve ndaj tij