Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, është rrethuar nga Policia pas një alarmi për bombë të vendosur në rektorat. Njësitë e specializuara kanë kontrolluar në çdo ambient të Universitetit dhe raportohet se nuk është gjetur asnjë lëndë shpërthyese.
Ata janë duke kontrolluar çdo pjesë të ndërtesës së rektoratit, edhe me ndihmën e Njësitit K9 (me qenë nuhatës) për të verifikuar nëse kishte të vendosur ndonjë mjet shpërthyes. Rektori Naser Sahiti, konfirmoi se në orët e pasdites kanë pranuar një e-mail në të cilin shkruhej se në Rektorat ishte vendosur bombë.
E-mailin e kemi pranuar në adresë të Rektoratit nga një e-mail anonim”, është shprehur ai për mediat. “Menjëherë e kemi lajmëruar policinë”, ka shtuar Sahiti, duke vazhduar “Shumica nga të punësuarit kanë qenë jashtë orarit të punës kurse ata që ishin aty janë larguar.”
Kjo nuk është hera e parë që në Prishtinë, institucioneve të ndryshme publike u dërgohen paralajmërime për vendosje bombash. Kohë më parë, disa herë brenda disa ditësh kërcënime të tilla i janë dërguar dhe Stacionit të Autobusëve në Prishtinë.