Goditet një rast i tentativës për të kaluar kufirin me dokumente të falsifikuara.

Arrestohen në flagrancë 2 shtetas.

Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në vijim të kontrolleve të detajuara të dokumentacionit që paraqesin shtetasit që hyjnë dhe dalin në këtë pikë të kalimit kufitar, kanë evidentuar dhe goditur një rast të tentativës për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, me dokumente false.

Në përfundim të veprimeve hetimore u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, të kryera në bashkëpunim, shtetasit:

E. I., 28 vjeç, banues në Kukës dhe L. O., 19 vjeç, banues në Durrës.

Shëbimet e Policisë, gjatë kontrollit të dokumentacionit të shtetasve E. L. dhe L. O., kanë dyshuar se këta shtetas nuk kishin paraqitur dokumentet e tyre të identifikimit. Gjatë kontrollit të detajuar rezultoi se dokumentet që ata kishin paraqitur ishin me gjeneralitete të dy shtetasve të tjerë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.