Ky është i riu, Laer Kurti i cili ndërroi jetën mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:10 pas shoqërimit në komisariatin e policisë nr.3 në Tiranë.
32 vjeçari refuzoi të ndalonte për t’u identifikuar nga policia dhe tentoi t’ja mbathte. Pasi u kap nga efektivët në zonën “Don Bosko”, gjatë shoqërimit në komisariat, ai u ndje keq dhe u dërgua me ambulancë në spitalin e Traumës ku raportohet të ketë ndërruar jetë.
Kurti ishte një emër i njohur për policinë, pasi 10 vite më parë ka plagosur me armë zjarri një person, dhe vuajti dënimin me disa vite burg.
Gjithashtu 32 vjeçari njihej në zonë si përdorues dhe shpërndarës i lëndëve narkotike.
Ndërkohë janë marrë në pyetje dy oficerët të cilët kanë bërë shoqërimin e të riut në komisariatin e policisë numër 3 në kryeqytet. Njëri prej tyre ka deklaruar se Laer Kurti kishte shfaqur shqetësime shëndetësore gjatë momentit që ishte shoqëruar, duke mohuar se ndaj viktimës ishte ushtruar dhunë policore.