Avokati Ulian Barjami thotë se nuk ka përdorur asnjë fjalë kërcënuese apo jo profesionale ndaj prokurorit gjatë seancës gjyqësore në Elbasan.
Në një komunikim me gazetaren Dafina Hysa në emisionin “Breaking” në Top News, Barjami tha se ishte prokurori ai që “e mori personale” dhe u shpreh në sallën e gjyqit duke thënë “unë do e arrestoj” për të.
“Nuk kam përdorur asnjë fjalë kërcënuese apo fjalë jo –profesionale. Kur u hapën pamjet filmike u kuptua se kishte mospërputhje. Kishte pasaktësi për atë çfarë ishte raportuar. Prokurori ka përdorur shprehjen “unë do ta arrestoj”, mesa duket e ka marrë personale. Veprimet e mija ishin ligjore”, deklaroi Barjami.
Avokati më pas shpjegoi se si ishte ndaluar me iniciativë të oficeres së policisë gjyqësore, një procedurë që sipas tij është e paligjshme.
“Unë jam thirrur të nesërmen nga oficerja e policisë gjyqësore, deri në atë moment nuk ka patur asnjë kallëzim. Më ka thirrur dhe më ka thënë dua të të takoj lidhur me një sqarim. Dua të sqaroj se kush ka qenë ideja apo kuptimi i kësaj shprehjeje.
E sqarova për atë kuptim që kishte realisht. Pastaj u largova dhe më ka komunikuar dhe më ka thënë do të të ndaloj me një urdhër. Është praktikë e paligjshme, arrestimi me nismë të policisë gjyqësore, ndodh vetëm në rastin e flagrancës. Ditën e ndalimit më është sekuestruar vetëm telefoni, asgjë tjetër”, u shpreh ai.