Deputeti demokrat Dashnor Sula mungoi në seancën plenare të Kuvendit, që u zhvillua pas dy muajsh pauze pas zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare në vend.
I ftuar në “Top Story”, Sula zbuloi se për shkak të angazhimeve familjare, nuk arriti të merrte pjesë në seancën e sotme.
Megjithatë, ai siguroi që do të jetë në seancat e tjera, teksa tha se do të vijë me një propozim të ri për deputetët.
“Unë e kisha të pamundur për një angazhim familjarë. Ishte një seancë jo seancë, thjeshtë një qasje siç ka qenë e kaluara, një aktor force dhe gjithçka që ka mazhoranca, dhe një viktimë siç ishim dhe vazhdon të jetë viktimë më e madhe, opozita. Në seancat e tjera do të jem, dhe do bëj një propozim për deputetët, që më mirë Shqipëria të kthehet në monarki kushtetuese, sepse ai parlament është pa vlerë. Jemi republike kryeministrore”, tha Sula.
Ka nisur sot seanca plenare pas dy muajsh pauze pas zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare në vend. Seanca e sotme plenare do të pasohet ga 5 javë intensive ku pothuajse të gjithë institucionet do të paraqesin raportet e punës vjetore para ligjvënësve, përpara se kjo legjislaturë të mbyllet përfundimisht në korrik.