I penduari i drejtësisë, Erjon Alibej, ka rrëfyer se si e mori vesh për vrasjen e vëllait të tij teksa ishte në kërkim. Alibej shprehet se i vinin informacione pafund ku akuzohej Kamer Mehja dhe Suel Çela.

“Shtetasi turk ka qenë edhe më heret në Shqipëri, kur vajza ime mbushi 1 vjec, ishte mik i ngushtë i joni për shkak të marrëdhënieve të punës me Endritin, mbrëmjen e masakrës Endriti ishte në Tiranë me disa miq pastaj u nis për Peqin tek dajat e mi ku ishin mbledh, teksa un po coja ca dhurata për fundvit tek nje miku jonë noter, i ra telefoni Besmir Lalës degjova që ishte nusja ime, se un nuk mbaja telefon pasi isha kërkim, i thash ca ka, ndërkohë aty erdhi një X6 e bardh që e dija që ishte e Mikael Qosjes qe ja kishte bë dhurat Franc Çopja, e di që e kan ndru në kokainë.

Besmiri më tha që shpejt se i kanë gjujt Endritit, Mikaeli ishte me Ervis Çopjan në makinë, mu afrua me makinë, un i thash a ke “heker” për arm më tha jo pse ca ka ndodh, mbylla xhamin ika. Po më vinin informacione pa fund, jo ta ka bo Kamer Mehja jo Suel Çela, sidomos për Suelin.”-tha ai.

I penduari i drejtësisë, një nga eksponentët më të rëndësishëm të krimit në Elbasan, Erjon Alibej ka treguar në Gjykatën e Posaçme se kontrollonte sistemin TIMS dhe kërkonte çdo informacion për personat që ishte i interesuar.

Alibej është shprehur se ka patur kontakte me efektivë të policisë dhe çdo gjë që i duhej i nisej me foto.